Qyteti kinez Wuhan, epiqendra e epidemisë së koronavirusit, aktualisht është në punë e sipër për të krijuar spitale të përkohshme që mund të përballojnë numrin në rritje të pacientëve të infektuar, sipas agjencisë kineze të lajmeve Xinhua.
Wuhan, kryeqyteti i provincës Hubei, ka vendosur të kthejë 11 lokacione, përfshirë palestra, qendra ekspozite dhe qendra sportive, në spitale të improvizuara, të cilat mund të sigurojnë më shumë se 10,000 shtretër në total.
Masa, për të cilën ekspertët thonë se është e pashembullt, u miratua pasi qyteti i goditur rëndë u përpoq të sigurojë shtretër për mbi 8,000 pacientë të infektuar dhe autoritetet provinciale u zotuan të mos linin asnjë pacient pa mbikëqyrje.
“Ndërtimi i spitaleve të përkohshëm me një numër të madh shtretërish brenda një hapësire të madhe, është një masë kryesore e shëndetit publik të marrë nga Kina”, tha Wang Chen, një specialist i mirënjohur i rrugëve respiratore dhe president i Akademisë së Shkencave Mjekësore Kineze.
“Kjo është një masë kryesore e marrë nga autoritetet në një kohë kritike”, tha Wang. “Për dallim nga spitalet në terren gjatë kohës së luftës ose tërmetit, spitalet e improvizuara në Wuhan janë të pashembullta”.
Spitalet e përkohshme, të vendosura në pjesë të ndryshme të qytetit, do të marrin pacientë me simptoma të buta të shkaktuara nga koronavirusi.
Wang tha që masa e re është krijuar posaçërisht për të adresuar çështjen e përhapjes së virusit në familje dhe komunitete.
“Nëse një numër i madh i pacientëve me simptoma të buta jetojnë në shtëpi ose dyshojnë se pacientët po enden nëpër komunitet, ata do të bëhen një burim kryesor i përhapjes së virusit”, tha Wang.
Për më tepër, duke pasur parasysh mungesën e shtretërve në spital, jeta e tyre mund të rrezikohet nëse nuk trajtohen në mënyrë efektive, shtoi eksperti në fjalë.
Sipas informacionit zyrtar të lëshuar këtë mëngjes, numri i vdekjeve arriti në 493. Ndërsa të infektuarit janë 24,551 në gati 30 vende.