DailyMail shkruan për ngjarjen tragjike në Malësi të Madhe
“Një baba shqiptar dhe djali i tij, të cilët u zhvendosën në Britaninë e Madhe disa vite më parë, humbën jetën në vendlindjen e tyre kur makina me të cilën udhëtonin u mor nga rrjedha e ujit dhe përfundoi në lumë si pasojë e përmbytjeve”. Kështu e nis Daily Mail artikullin e publikuar këtë të martë për vdekjen tragjike të babë e bir, të cilët humbën jetën të dielën në Malësi të Madhe si pasojë e përmbytjeve.
DailyMail shkruan Pjetër Rushaj 50 vjeç dhe djali i Jason, jetonin prej vitesh në Midlands.
E përditshmja britanike po ashtu përcjell edhe faktin se vajza e 50-vjeçarit mundi të dilte nga automjeti, duke i shpëtuar tragjedisë së ndodhur në Bogë.
“Pamjet dramatike të publikuara nga policia shqiptare tregonin ekipet e shpëtim-kërkimit duke përdorur disa litarë të gjatë për të nxjerrë nga uji makinën Mercedes Benz nga lumi. Një zëdhënës i policisë tha se 50-vjeçari ishte përpjekur të kalonte lumin në një pjesë të rrugës që kalon mbi ujë dhe makina kishte ngecur. Ai i tha vajzës së tij 14-vjeçare që të shkonte në fshatin më të afërt për të kërkuar ndihmë, por teka ajo u largua, uji vërshoi duke marrë para babain dhe vëllain e saj. Trupat e tyre të pajetë arritën të gjendeshin nga polumbarët të hënën, pas një operacioni të gjatë”, shkruan media britanike, e cila shton se rajonet veriore të Shqipërisë janë ndër më të prekurat nga shirat e rrëmbyer që kanë përfshirë Ballkanin përgjatë ditëve të fundit.
“Zyrtarët thanë se Pjetër Rushaj jetonte në Britani dhe ishte kthyer në Shqipëri pasi kishte dëgjuar për stuhitë dhe po kontrollonte për dëme të mundshme të shtëpive që ai kishte ndërtuar me paratë që fitonte në Britani”, shkruan DailyMail.
Për humbjen e tyre, shton më tej media britanike, reagoi edhe vajza tjetër e tyre 24-vjeçare e cila jeton në Coventry. “Me hidhërim të thellë njoftojmë vdekjen e parakohshme të babait tonë Pjetër Gjok Rushaj dhe vëllait tonë Jason Pjetër Rushaj”, shkruajti ajo në Facebook.