Kulturë Erdhi në Shqipëri për të sjellë përvojën e saj, por Ermonela Jaho...

Erdhi në Shqipëri për të sjellë përvojën e saj, por Ermonela Jaho mbetet e zhgënjyer

Sopranoja Ermonela Jaho ka prekur skena mbarëkombëtare, por sërish, ka ndjerë detyrimin moral që të rikthehet në Shqipëri, për të ofruar të përvojën e saj në një masterclass. Por Ermonela mbeti e zhgënjyer nga pjesëmarrja dhe mungesa e pedagogëve dhe studentëve të artit.

Ermonela foli për këtë “mungesë interesi” për artin dhe operën në Shqipëri, por nuk e përjashtoi as mundësinë se ndoshta pedagogët s’i lejojnë studentët të marrin mësimet e saj.

“Po e them troç fare: Unë kam ardhur këtu dhe s’kam parë asnjë pedagog nga Akademia e Arteve. Kam ardhur këtu dhe s’kam parë studentë të regjistrohen. Nuk po them që po sjell diçka të jashtëzakonshme, apo dua të luftoj dikë këtu dhe këta studentë që kanë ardhur janë nga jashtë.

Jam aq e ngarkuar, ndaj kam shumë për të thënë. Mendoj se ky është edhe një lloj egoizmi. Unë këtë e kam provuar para 30 viteve, por më duket se është akoma edhe sot. Një pedagog nuk do të të japë 100%”, tha ajo dhe shtoi se ndoshta studentët mungojnë se nuk i lejojnë pedagogët”.

Foli edhe për mundësitë që kanë studentët shqiptarë për të qenë të konkurrueshëm në botë: “Unë vij këtu me një dashuri të pakushtëzuar, sepse vë veten në vendin e këtyre artistëve. Le t’u jepet një shpresë, sepse është e trishtë kur dëgjon që kanë studiuar për 10-15 vjet dhe nuk janë të konkurrueshëm me botën”.

Ajo ndau edhe përvojën e saj në karrierë, duke nisur që nga shkolla e deri te sakrificat për t’ia dalë: “Shkolla jonë të jep diçka. Mua më ka dhënë diçka. Më vonë unë e kam mësuar me luftë, me torturë, me çdo gjë, me një sakrificë të madhe dhe kam shkuar jashtë (për ta) marrë”.

Ermonela shtoi edhe se si artiste, e ndien si detyrim moral që të sjellë në Shqipëri përvojën e saj: “Është detyrimi ynë si artistë të rritur këtu që të marrim eksperiencën jashtë dhe ta sjellim këtu, se kemi talente dhe zëra të bukur, por nuk kanë disiplinën, nuk janë të konkurrueshëm”.

Ajo u shpreh se në masterclass-in e parë, ka vënë re frikën e studentëve që paraqiteshin, por kishin siklet se mos u thoshte ndonjë gjë pedagogu dhe theksoi se nuk ka ardhur të konkurrojë askënd, përkundrazi, të japë kontributin e saj si artiste.

“Jua them me shpirt! Nuk është se kam ardhur këtu për të kritikuar njeri. Perfeksioni nuk ekziston. Unë vë gurin tim. Më jep ti një gur tëndin dhe (kështu) gur-gur, të ndërtojmë diçka”, u shpreh Ermonela Jaho.