Bota Erdogan: Mund t’i ndajmë rrugët tona me BE-në nëse është e nevojshme

Erdogan: Mund t’i ndajmë rrugët tona me BE-në nëse është e nevojshme

Raporti më i fundit i Bashkimit Europian për Turqinë shihet nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan si përpjekje e Brukselit për t’u shkëputur nga Unioni.

“Nëse doni të mësoni qartë dhe hapur vlerësimin tim, Bashkimi Evropian po bën përpjekje që të shkëputet nga Turqia. Gjatë kësaj periudhe kur Bashkimi Evropian po bën lëvizje për t’u shkëputur nga Turqia, ne do të bëjmë vlerësimet tona lidhur me këto zhvillime. Dhe pas këtyre vlerësimeve, ne mund të ndajmë rrugët me Bashkimin Evropian, nëse është e nevojshme”, tha Erdogan.

Raporti, i miratuar nga Brukseli në fillim të kësaj jave, tha se procesi i pranimit të Turqisë me bllokun 27-anëtarësh nuk mund të rifillojë në rrethanat aktuale.

Pala turke pretendon se raporti i fundit ndërtohet mbi gjetje të pabazuara, mbi paragjykime dhe disinformacion të kaluar nga qarqet anti-turke por ai është përmbi të gjitha edhe i cekët dhe jo-vizionar. Cilësimi i fundit është një paralajmërim serioz pasi Turqia ka një peshë shumë të madhe edhe në menaxhimin e fluksit migrator, një ndër sfidat më të vështira për BE-në. Dhe në këtë drejtim pala turke nuk është kursyer.

“Në një periudhë kritike kur stabiliteti dhe siguria e kontinentit tonë janë në lojë dhe kur një dritare e re mundësie është hapur për të rigjallëruar marrëdhëniet BE-Turqi, ne e gjejmë iracional që BE-ja të sjellë në vëmendje të tjera çështje paralel me negociatat e pranimit që janë shtylla e marrëdhënieve BE-Turqi”, citohet deklarata e ministrisë së Jashtme turke.

Turqia ka qenë një kandidat zyrtar për t’u bashkuar me BE për 24 vjet, por bisedimet e pranimit kanë ngecur vitet e fundit për shqetësimet e bllokut për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe respektimin e shtetit të së drejtës.