Bota Erdogan prezanton supermakinën turke, detajet e makinës që pritet të pushtojë botën

Erdogan prezanton supermakinën turke, detajet e makinës që pritet të pushtojë botën

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan prezantoi të premten makinën e parë të prodhuar totalisht në vend e cila është elektrike dhe pritet të pushtojë botën shumë shpejt.

Në ceremoninë e prezantimit, prodhuesit e makinës TOGG bënë me dije se synojnë të ndërtojë 175 mijë mjete të ngjashme në vit, në një projekt që pritet të kushtojnë 3.7 mld USD në 13 vite.

Projekti ka qenë prej kohësh një qëllim i presidentit Erdogan dhe partisë në pushtet AK për të treguar fuqinë ekonomike rritëse të vendit.

Erdogan, në fjalimin e mbajtur në ceremoni, u shpreh se qëllimi është që kjo makinë të mos shitet vetëm në Turqi, por të bëhet një markë botërore.

“Jemi të gjithë dëshmitarë të një ëndrre 60-vjeçare të Turqisë që tashmë është kthyer në realitet. Kur të shohim këtë makinë të endet në të gjitha rrugët e botë, do jemi krenarë që e arritëm synimin tonë”, tha Erdogan para të pranishmëve.

Kreu i shtetit turk gjithashtu bëri me dije se infrastruktura e karikimit të makinave elektrike do të jetë gati në të gjithë vendin brenda vitit 2022.

Karakteristikat

Në muajin qershor të vitit 2018, pesë gjigantë të industrisë turke, respektivisht Anadolu Group, BMC, Kok Group, Turkcell dhe Zorlu Holding, si dhe organizata ombrellë Unioni i Odave dhe Shkëmbimeve të Mallrave të Turqisë, bashkuan fuqitë për të krijuar nismën TOGG, e cila projektoi automobilin vendas të Turqisë për një periudhë 18-mujore.

Automobili do të prodhohet në dy kategori, njëri me më pak kuaj fuqi që do të mund të punojë me një të mbushur mbi 300 kilometra dhe të arrijë shpejtësinë 100 kilometër në orë në 4,8 sekonda, si dhe ai me më shumë kuaj fuqi që do të mund të arrijë shpejtësinë 100 kilometër në orë në 7,6 sekonda.

Bateria e këtij automobili, e zhvilluar plotësisht nga TOGG, do të mund të ngarkohet deri në 80 për qind në më pak se 30 minuta.

Automobili do të posedojë lidhje interneti, sistemi i të cilit do të jetë në gjendje të azhurnohet përmes internetit, si dhe do të jetë në përputhje me standardet pesëyjëshe të vlerësimit nën Programin Evropian të Automjeteve.

Ai do të sigurojë “ndihmës holografik” me ekran tredimensional dhe teknologji të realitetit të shtuar, që do të përdoret në automobilin turk për herë të parë në vitin 2023.

– Automobili do të ketë pesë modele

TOGG deri në vitin 2030 do të prodhojë pesë modele të ndryshme, respektivisht SUV, Sedan, C-hatchback, B-SUV dhe B-MPV, si dhe do të zotërojë të drejtat e pronësisë intelektuale dhe industriale të tyre.

Themeli i fabrikës do të vendoset në vitin 2020 në provincën industriale Bursa. Kostoja e fabrikës pritet të arrijë 22 miliardë lira turke (3,7 miliardë dollarë), ndërsa kapaciteti për prodhimin e automobilit në bazë vjetore do të jetë 175 mijë.

Fabrika do të ketë 4.323 të punësuar, përfshirë 300 punëtorë të kualifikuar.

Platforma e automobilave elektrike e TOGG-it, e krijuar nga inxhinierët për pesë modelet e automobilit, do të jetë origjinale dhe e patentuar. Platforma do të sigurojë një stukturë për efikasitet maksimal, rehati, qëndrueshmëri dhe siguri.

Makina vendase po ashtu do të mbështetet nga qeveria turke me zbritje të taksave dhe stimujve.