Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka deklaruar se një marrëveshje e favorshme për të dyja palët do të ishte e favorizuar edhe nga Turqia.
Në një intervistë për të përditshmen serbe “Politika”, Erdogan ka thënë se arritja e një marrëveshje për çështjen e Kosovës që kënaq të gjithë palët e interesuara, është thelbësore për arritjen e stabilitetit dhe paqes afatgjatë në Ballkan. Ai tha se kjo është arsyeja pse Turqia mbështet rifillimin e dialogut Prishtinë – Beogradi.
Ai theksoi se marrëdhëniet midis Turqisë dhe vendeve të Ballkanit bazohen në mirëkuptim dhe respekt të ndërsjelltë.
“Ne duam t’i forcojmë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin tonë me rajonin në çdo fushë dhe nuk mohojmë rolin determinues të Ballkanit. Ne kemi rrënjosur lidhje historike dhe kulturore me këto vende dhe i shohim si fqinj, megjithëse nuk kemi asnjë kufi të përbashkët”, tha Erdogan.
I pyetur mbi projektin e Transversalit të Gjelbër, i cili synon bashkimin e pjesëve të Serbisë me një pakicë muslimane brenda Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës, Erdogan thotë se Turqia nuk ndjek politikën ballkanike bazuar në fe dhe prandaj, nuk bën dallim midis serbëve, boshnjakëve, shqiptarëve dhe kroatëve.
Siç tha ai, këto qarqe po përpiqen të manipulojnë përpjekjet e Turqisë dhe ta portretizojnë ndryshe.
Erdogan u prit në Beograd me të shtëna topi kur iu afrua pallatit ku do të zhvillohej takimi me Vuçiçin, një pritje kjo që Serbia ia mundëson vetëm disa liderëve me të cilët vendi ka lidhje speciale.
Më parë, një pritje e tillë i ishte bërë Putinit kur shkoi në Beograd.