Kombëtarja shqiptare do të luajë të shtunën sfidën me Islandën për kualifikueset e “Euro 2020”.
Nën drejtimin e Edy Rejas, kuqezinjtë ndodhen në Gjermani ku po punojnë për këtë ndeshje që ka shumë rëndësi, e ku objektivi është fitorja që do të rriste shpresat për një kualifikim të mundshëm, gjë që u theksua edhe nga portieri Berisha.
“Atmosfera është e mirë duke pasur parasysh që kemi një trajner me eksperiencë, i cili është munduar që skuadra të ketë entuziazëm, por gjithçka do të varet nga rezultati. Nuk duhet të kemi presion. Çdo ndeshje është e rëndësishme, por një fitore do të na jepte shumë shpresë për kualifikimin. Duhet të fokusohemi jo vetëm te sfida me Islandën, por te të gjitha ndeshjet, pasi jemi në një grup ku diferencat janë të vogla”, tha Etrit Berisha, portier i Kombëtares.
Ndërsa mesfushori Ergys Kaçe vlerësoi skuadrën e Islandës, por shtoi se edhe përfaqësuesja jonë i ka kualitetet për të fituar.
“E dimë që Islanda është e fortë, ka lojtarë të mirë, por po të japim maksimumin në fushë e të luajmë si skuadër, besoj se do të fitojmë. Kur vjen një trajner i ri në skuadër, lojtarët japin gjithnjë maksimumin. Kemi punuar shumë mirë këto 10 ditë, jemi gati për ndeshjen”, tha Ergys Kaçe, mesfushor i Kombëtares.
Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e saj me Islandën në Rejkjavik, ndërkohë që më 11 qershor do të presë Moldavinë në “Elbasan Arena”.