Kredi që jepen më së shumti në monedhën evropiane, Euro. Depozita, të cilat po rezultojnë të jenë gjithashtu më të larta në këtë monedhë sesa në atë vendase, Leku. Sikundër dhe shumë veprime të tjera bankare apo të kryera “dorazi”, që qytetarët shqiptarë i realizojnë kryesisht me Euro dhe jo me Lekë.
E gjitha kjo, një situatë e cilësuar nga ekspertët si “euroizim” dhe që sipas tyre po vë në rrezik stabilitetin financiar të vendit. Dhe që pikërisht për një arsye të tillë ata rekomandojnë dobësimin e saj, duke vendosur në qendër të vëmendjes së gjithë veprimeve bankare apo dhe atyre informale, monedhën vendase shqiptare, Lekun.
Konkretisht, rreth saj, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kanë përcaktuar që të vënë në zbatim një plan-veprimi për të ulur përdorimin e Euros në ekonominë shqiptare.
Njëra nga masat e tij përcakton në praktikë detyrimin ndaj bankave që ato kur firmosin një kontratë kredie me qytetarët, t’i informojnë këta të fundit përmes shembujve konkretë sesi rriten këstet e saj, nëse Leku zhvlerësohet me një nivel të caktuar ndaj Euros. Duke bërë në këtë mënyrë që ata të ndërgjegjësohen se një kredi në lekë është ndoshta zgjidhja më e mirë për ta, për të mos pësuar ndryshime të herëpashershme të këstit të saj, falë luhatjeve që pëson kursi i këmbimit valutor ndaj Euros.
Por në kuadër të kësaj, do të jetë gjithashtu edhe masa tjetër që do të ndërmarrë shteti për kredimarrjen në monedhën kombëtare nga institucionet publike kur emëtojnë tituj borxhi, të tilla si bonot e thesarit apo obligacione. Të cilat aktualisht akordohen edhe në monedhat e huaja, madje me interesa konkurruese, duke bërë që Leku të zhvendoset ndaj interesit për t’i tërhequr ato.
Nga ana tjetër, shteti do të kujdeset gjithashtu që të përkthejë në monedhën kombëtare edhe të gjitha vlerat që shoqërojnë marrëdhëniet dhe raportet financiare, duke forcuar kështu imazhin e Lekut si i tillë, kjo edhe ndaj institucioneve të huaja financiare të njohura.
E gjitha kjo, “me qëllim forcimin e besueshmërisë në monedhën kombëtare dhe nxitjen e përdorimit të saj në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare”. “E duke vlerësuar se shkalla e përdorimit të monedhave të huaja (euroizim) është e konsiderueshme dhe se kjo dukuri përfaqëson një burim potencial rreziku për stabilitetin financiar të vendit”, citojnë zyrtarisht ekspertët që kanë hartuar strategjinë në fjalë. Duke pohuar qartë kështu se një “mësymje” e Euros në ekonominë vendase, po i shkakton asaj mjaft dëme financiare. Nisur që nga shembulli praktik në jetën e qytetarëve, ku vetëm marrja e një kredie në euro krijon tek ata një situatë të ndryshueshme në vazhdimësi sa u përket pagesave që duhet t’u kthejnë bankave, gjë e cila në rastin e monedhës vendase nuk ndodh.
Përse tani ky plan masash për të forcuar monedhën vendase?
Sipas ekspertëve të financave shqiptare, plani i masave që duhen ndërmarrë për forcimin e lekut mbërriti pikërisht tani që është vënë re një dobësim i madh i këtij të fundit ndaj monedhës evropiane. Ku sipas tyre, nëse më parë depozitat në lekë dominonin totalin e atyre në sistemin bankar, sot ato gati janë barazuar me ato në valutë të huaj. Sikundër edhe për kreditë mund të thuhet e njëjta gjë, duke i bërë qytetarët shqiptarë gjithmonë e më të pambrojtur nga goditjet e kursit të këmbimit. Teksa nuk dinë të të japin ende një shifër konkrete të shkallës aktuale të euroizimit si të tillë në ekonominë shqiptare, kjo e fundit thuhet se vërtitet në nivelin prej rreth 50%. Që përkthehet në praktikë me faktin që rreth gjysmat e transaksioneve financiare, shkëmbimeve tregtare apo edhe depozitimeve e kreditimeve po bëhen në monedhën evropiane, kundrejt asaj vendase, Lekut.
Kreditë edhe depozitat në valutë, rritje e vazhdueshme
Duke nisur që nga viti 2013, siç raporton Banka e Shqipërisë, është shënuar një rënie e vazhdueshme e nivelit të depozitave në monedhën vendase, Lek, teksa ato në euro kanë njohur vetëm rritje. Konkretisht, për fundvitin 2016 raportohet se stoku i kursimeve në valutë arriti në rreth 3.8 miliardë euro.
Duke dhënë si detaj rritjen me rreth 40 milionë euro vetëm për muajin nëntor, ku për të njëjtën periudhë, nga ana tjetër, depozitat në monedhën vendase, Lek, ranë me 8 milionë euro (rreth 10 miliardë lekë). Për të referuar kështu trendin e depozitimit gjithmonë e në nivele më të larta të kursimeve në Euro prej qytetarëve shqiptarë, pasi ato në Lekë, tashmë i kanë interesat thuajse në nivelin zero, për çdo lloj maturimi. E në këtë këndvështrim, Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë në kuadrin e masave për të forcuar Lekun si i tillë, duke ndikuar në rritjen e nivelit të interesave të tij.
Nga ana tjetër, referuar gjithmonë të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rezulton se rreth 60% e kredisë së akorduar nga sistemi financiar shqiptar është në valutë të huaj. Ndërsa Euro përdoret gjithashtu gjerësisht për transaksionet e brendshme, sidomos ato në tregtimin e pasurive të paluajtshme (blerje banesash) dhe të mallrave të qëndrueshëm.