Monedha e përbashku europiane vazhdon të përjetojë një situatë zhvlerësimi si në tregun ndërkombëtar, ashtu edhe atë vendas.
Në tregun ndërkombëtar një euro këmbehet sot me 1.1156 dollarë ose -0,14 pikë përqindjeje krahasuar me një ditë më parë.
Në tregun vendas një euro sot këmbehet me 123,27 lekë ose 0, 07 pikë përqindjeje më pak se dje.
Në tregun vendas, euro ka nisur të njohë rënie të mëtejshme që në datën 9 prill kur në Aeroportin Nënë Tereza u vodhën 6 mln euro.
Atë ditë euro këmbehej me 124,89 lekë dhe një ditë më pas 124, 7 lekë.
Për monedhën euro, edhe muaji maj ka trokitur me rënie. Të enjten, më datën dy, monedha e përbashkët europiane është këmbyer me 123, 34 lekë.
Ekspertët vendas e shpjegojnë zhvlerësimin e euros me disa faktorë; ngjarjen e Rinasit, situatën politike në vend dhe ndikimin nga tregu ndërkombëtar.
Në fakt në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë monedha e përbashkët europiane ka humbur 4 pikë përqindjeje.
Kurse në tregun ndërkombëtar, ekspertët e huaj rënien e euros e shpjegojnë pikë së pari me forcimin e dollarit. Pavarësisht masave të FED, dollari ka reaguar në të kundër duke u mbivlerësuar.
Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, rënia e euros pritet të vazhdojë afatgjatë, sepse ajo reflekton dy fenomene. Së pari, Shtetet e Bashkuara kanë një ritëm të mirë të rritjes ekonomike, gjë që nuk e ka zona euro. Në këto kushte, mundësitë për investime në SHBA janë më fitimprurëse se sa në eurozonë. Së dyti, thonë ekspertët, politikat monetare gjithnjë e më shumë do të ndryshojnë: SHBA duke qënë me një punësim të lartë, dihet se Fed në mënyrë të pashmangshme do ti afrohet rritjes së normave të interesit. Në të njëjtën kohë, Banka Qendrore Europiane (BQE) duket se gjithnjë e më shumë dëshiron të angazhohet në mënyrë të hapur në blerjet e aseteve, sidomos të titujve të borxhit sovran.
Kështu, ndërsa oferta e dollarëve të rinj do të bjerë, ajo e euros do të rritet, gjë që do të krijojë në mënyrë të pashmangshme një mungesë relative të dollarit, dhe në këtë mënyrë një rritje të çmimit të tij. Por edhe në qoftë se stoku i dollarit mbetet më lart se ai i euros në botë, dollarët janë tashmë të vendosur.
Gjithashtu faktorë të tjerë që rendisin ekspertët është ngadalësimi i ekonomisë në eurozonë, ngjarjet politike dhe BREXIT.