Sport Favorite e “Botërorit U17”, Italia i beson portën “gjigantit” shqiptar

Favorite e “Botërorit U17”, Italia i beson portën “gjigantit” shqiptar

Përfaqësuesja italiane U17 do të jetë një nga protagonistet kryesore të Botërorit të sapofilluar në Brazil edhe pa “yllin” Sebastiano Esposito të “bllokuar” nga Antonio Conte,  por sigurinë e tyre fqinjët e kanë në portë, ku titullar është një djalosh shqiptar.

Marco Molla ishte një nga elementët më të spikatur të ekipit që arriti në finalen e Europianit, edhe falë pritjeve të tij.

Lindur në Sesto Fiorentino por me origjinë shkodrane, i gjatë rreth 192 centimetra, Molla shihet si një nga talentet më të mëdha në Itali në rolin e tij.  Falë fizikut por edhe teknikës që disponon, Marco ka një ngjashmëri sportive me portierin e Atletico Madridit, Jan Oblak, pikë referimi për  17-vjeçarin.

Edhe pse i lindur në Itali, Molla ka përfaqësuar Kombëtaren kuqezi në disa ndeshje, për të preferuar më vonë atë italiane. Por ai nuk ka harruar të marrë pasaportën shqiptare, dhe një rikthim i tij në Kombëtaren e madhe sipas vetë familjes së tij është ende i mundshëm, duke përfaqësuar pa frikë të ardhmen e portës kuqezi.