Sport Ferguson tregon si e bindi CR7 të kthehej: S’mund ta imagjinoja te...

Ferguson tregon si e bindi CR7 të kthehej: S’mund ta imagjinoja te Manchester City

Alex Ferguson ishte njeriu kyç në kthimin e Cristiano Ronaldos te Manchester United. Ish-trajneri skocez i “Djajve të Kuq” dhe legjenda e klubit ndërhyri që CR7 të mos shkonte te Manchester City, por të kthehej në “Old Trafford”.

“Shumë njerëz luajtën rolin e tyre për ta rikthyer Ronaldon. Unë kontribuova duke ditur se Cristiano me të vërtetë donte të vinte këtu dhe kjo ishte e rëndësishme. Përpjekja na shkoi shumë mirë, – tha Sir Alex në “Viaplay”. – Ishte emocionuese për mua, edhe një lehtësim, sepse nuk mund ta imagjinoja që ai të luante për Manchester City. Nuk mendoj se një idhull në “Old Trafford” mund ta bëjë këtë”.

Transferimi i mundshëm i CR7 te “qytetarët” bëri që Ferguson të niste menjëherë punën. Trajneri mban një marrëdhënie të mirë me portugezin, çka e përdori për ta bindur që të bashkohej me Manchester United.

“Kjo është arsyeja pse ndërmorëm hapa për t’u siguruar që ai të vinte këtu. Klubi veproi shumë mirë, unë fola me Glazers dhe transferimi i krye”, – shpjegoi më tej skocezi legjendar.

Debutimi i Cristianos me Manchester United nuk mund të ishte më i mirë. Ai realizoi dopietë (45’dhe 62′) në fitoren 4-1 ndaj Newcastle. Ferguson beson se, përveç golave, portugezi do të ketë një ndikim i madh për ekipin: “Unë mendoj se do të ketë një ndikim te lojtarët e rinj në veçanti. Ronaldo ka përvojën e duhur për t’i trajtuar këto situata”.