Televizioni shtetëror kanadez CBC ka hequr nga filmi “I vetëm në shtëpi: kam humbur në Nju Jork”, skenën ku shfaqet Donald Trump. Dhe menjëherë ky zhvillim ka ngjallur polemika.
Heqja e skenës është konsideruar nga mbështetësit e Trump dhe konservatorët amerikanë si një lëvizje politike dhe censurë. Djali i Presidentit amerikan, Donald Trump Junior, e konsideron patetik vendimin e Canadian Broadcasting Company, ndërsa në televizionin Fox kanë plasur kritikat.
Por, heqja e skenës nuk është një zhvillim i orës së fundit. CBC saktëson se e ka hequr atë në vitin 2014, kur ka blerë të drejtën e transmetimit të filmit dhe kur Trump njihej vetëm për bizneset e tij dhe jo për President.
“Siç ndodh shpesh për filmat e përshtatur për televizione, edhe “I vetëm në shtëpi” është rishikuar. Skena me Trump ishte një prej atyre që janë hequr”, shpjegon CBC në një komunikatë për shtyp.
Presidenti amerikan nuk e ka marrë seriozisht këtë vendim dhe bën shaka në Twitter duke shkruar se filmi nuk do të jetë më i njëjti.