Mbretëresha Elizabetë i është drejtuar sot kombit të saj me një fjalim jashtëzakonisht të rrallë, teksa e ka krahasuar gjendjen në të cilën bota ndodhet me atë të Luftës së Dytë Botërore.
“Sot, edhe një herë, shumë kanë ndjesinë e dhimbshme të ndarjes nga të afërmit. Por sot, ashtu si atëherë, ne e dimë, thellë-thellë, se kjo është gjëja e duhur për t’u bërë. Sëbashku do ta përballojmë emergjencën dhe nëse rrimë të bashkuar, do të fitojmë ne”.
Ajo foli për vetë-disiplinën dhe vendosmërinë, në këtë kohë sfidash në rritje që po kalon Britania e Madhe si pasojë e përhapjes së pandemisë COVID-19.
Mbretëresha falenderoi stafin e mjekësisë dhe punonjësit e tjerë që gjenden në vijën e parë të luftës kundër këtij virusi potencialisht vdekjeprurës, ndërsa shtoi se shpresonte që në vitet në ardhshme, të gjithë do të jenë në gjendje të krenohen me mënyrën se si iu përgjigjën kësaj sfide.
“Jam e sigurt se kombi do të më bashkohet mua për t’ju siguruar ju të gjithë se ajo që ju po bëni po vlerësohet”, u shpreh Mbretëresha.
“Momentet kur Mbretëria e Bashkuar është bashkuar për të duartrokitur kujdesin mjekësor do të mbahen mend si një shprehje e frymës sonë kombëtare; dhe simboli i saj do të jetë ylberi i vizatuar nga fëmijët”.
“Dhe ata që vijnë pas nesh do të thonë se britanikët e kësaj gjenerate ishin po aq të fortë sa çdokush. Se atributet e vetë-disiplinës, të vendosmërisë së qetë me humor të mirë dhe të ndjenjës së miqësisë ndaj të tjerëve, ende e karakterizojnë këtë vend”, deklaroi mbretëresha Elizabetë.
Si masë mbrojtëse ndaj Lartmadhërisë, mesazhi televiziv drejtuar kombit britanik u filmua nga një kameraman i vetëm, i veshur me pajisje mbrojtëse, ndërsa teknika ndodhej në dhomën tjetër.
Kjo ishte dalja e saj e 5 televizive e këtij lloji gjatë mbretërimin e saj 68-vjeçar. Ajo u shfaq në qershor të 2012 për “Mesazhin e Jubileut të Diamantëve të Mbretëreshës”. Gjithashtu në prill të 2012, kur u nda nga jeta Nëna Mbretëreshë, për vdekjen e princeshës së Uellsit, Diana, në Shtator 1997 dhe në kohën e Luftës së parë të Gjirit, në Shkurt të 1991.
Numri i viktimave si pasoje e COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar arriti në 4,934, pasi ditën e sotme u regjistruan edhe 621 vdekje të reja, ndërkohë numri total i të infektuarve është 47,806.