Eurodeputeti Knut Fleckenstein i pranishëm në komisionin Kombëtar të Integrimit i cili u mblodh në Tiranë tha se ndihej i kënaqur që Palmer ndan të njëjtin mendim me BE-në.
“Jam shumë i lumtur që zv.ndihmës sekretari i shtetit amerikan ka të njëjtin mendim, sikurse ne kemi me Bashkimin Europian. Kemi nevojë për sinjale pozitive”, – tha Fleckenstein.
Ndërsa vijoi: “Por ajo çfarë jemi dakord si Parlament Europian dyert tona janë të hapura si për parlamentin si për PD. Ju e dini më mirë si të gjeni një zgjidhje më të mirë si të zgjidhim këto gjëra. Ne më të vërtetë ju mbështesin që të ecni përpara sa më shpejt”.
Më tej, raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, thotë se reforma zgjedhore mund të bëhet edhe në kushtet aktuale të Parlamentit.
Sipas Fleckenstein realizimi i kësaj reforme duhet të bëhet nga mazhoranca dhe “opozita e re”.
Dje zv/ndihmës sekretari amerikan Mattheë Palmer tha për gazetarët se djegia e mandateve nuk ishte zgjidhje, ndërsa kërkoi që opozita të futej në zgjedhje.
“Nuk është zgjidhje djegia e mandateve. Opozita duhet të gjejë një mënyrë për të marrë pjesë në zgjedhje. Do të ishte fatkeqësi nëse opozita nuk do të merrte pjesë në këtë proces demokratik. Përgjegjësi e opozitës është të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit dhe të ndaj vizionin e saj me mbështetësit dhe të punojë fort për t’i fituar zgjedhjet”, – tha Palmer.