Sport Fluturimi i fundit i Sala, aksidenti kthehet në mister

Fluturimi i fundit i Sala, aksidenti kthehet në mister

Zhdukja e avionit privat të futbollistit Emiliano Sala ka marrë përmasa misterioze, ndërsa familjarët numërojnë orët e ankthit e shpresat për të gjetur të mbijetuar, tashmë janë venitur.
Sulmuesi që sapo kishte firmosur transferimin më të rëndësishëm të karrierës dhe po shkonte në kardif te skuadra e tij e re, tani zbulohet se injoroi urdhrat e drejtuesve për një udhëtim më të sigurt.

Emiliano Sala u këshillua për të shkuar me tren në Paris, nga ku më pas do të fluturonte drejt Uellsit për t’iu bashkuar ekipit të ri, por pavarësisht kushteve atmosferike jo optimale, ai mori avionin e vogël të tipit “Piper”, për të kaluar mes detit në kanalin anglez, Policia e ishullit të Guernsi që menaxhon zonën ku mendohet se ka rënë avioni, ka kërkuar në bashkëpunim me autoritetet mbi 4400 kilometër katrorë, por pa asnjë shenjë.

Ujërat e ftohta dhe stuhia kanë çuar në zero, mundësitë për të mbijetuar nga aksidenti që ka tronditur jo pak tifozë.

Historia është pasuruar me të tjera mistere pasi një pilot i dytë që duhej të nisej, Dejvid Henderson nuk e ka bërë këtë edhe pse kaloi të gjitha kontrollet me futbollistin Emiliano Sala dhe pilotin Ibotson, të dy të zhdukur.