Kopshti Zoologjik i Tiranës do të pësojë një transformim rrënjësor. Projekti do të konsistojë në rikonceptimin e Kopshtit Zoologjik për t’iu përshtatur kërkesave të ndryshme të vizitorëve që e frekuentojnë dhe kafshëve që jetojnë aty, si dhe kushtet e punës për kujdestarët. Këto ndahen në disa kategori ku të parashikohet riorganizimi i hapësirave për kafshët dhe punonjësit, vendosja e ndriçimit rrugor dhe rrjeti i linjave rezervë për internet telefoninë, rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të ndotura, trajtimin e hapësirave të gjelbërta dhe plotësimi me elemente të mobilimit urban (stola, kosha të vegjël), si dhe krijimi hapësirave për pushim, argëtim e piknik.
Projekti propozon krijimin e hapësirave të domosdoshme për menaxhimin, mirëmbajtjen dhe kontrollin e Kopshtit Zoologjik. Me rëndësi të veçantë ka rrethimi i jashtëm i Kopshtit Zoologjik, kjo për çështje sigurie dhe kontrolli jo vetëm për kafshët po dhe për banorët që jetojnë përreth. Rrethimi bëhet me mur 2.50 metra nga niveli i tokës, mbi të cilin montohen kangjella 0.8 m të larta. I gjithë muri parashikohet të maskohet me gjelbërim dhe pemë. Veç sigurisë fizike rrethimi ofron dhe një brez ‘buffer-I’ për zhurmat dhe privatësi nga ana vizuale Vizita në Kopshtin Zoologjik parashikohet të jetë një aktivitet që zgjat përgjatë gjithë ditës, dhe kështu në propozim përfshihen zona pikniku përgjatë itinerareve të lëvizjes, hapësira të gjelbërta të lira nga strukturat dhe të veçuara për familjarë e fëmijë.
Krahas këtyre, përgjatë shtegut kryesor propozohet një Snack Bar si pikë pushimi, rifreskimi dhe tualetesh. Hapësirat e piknikut do të kenë stola për raste nevoje dhe në pjesën më të madhe janë lëndina të gjelbërta mes gjelbërimit të lartë. Krahas këtyre në kopsht janë të shpërndara kënde lojërash për ta bërë eksperiencën për fëmijët dhe prindërit sa më të pasur.