Bota Frika nga koronavirusi, Hungaria mbyll kufijtë për azilkërkuesit

Frika nga koronavirusi, Hungaria mbyll kufijtë për azilkërkuesit

Hungaria ka mbyllur kufijtë e saj për azilkërkuesit me qëllim kufizimin e rrezikut që mund të vijë si pasojë e koronavirusit COVID-19, një epidemi që tashmë ka mbërthyer gjithë botën.

Lajmi është konfirmuar nga Gyorgy Bakondi, këshilltar për sigurinë kombëtare i kryeministrit Viktor Orban.

Bakondi tha për mediat se shohim një lidhje të caktuar mes virusit COVID-19 dhe emigracionit të paligjshëm.

Megjithatë, ai, nuk citoi asnjë të dhënë zyrtare apo raport dhe në situatën aktuale të epidemisë dhe përhapjes së saj në të gjithë botën, nuk është zbuluar ende asnjë lidhje mes emigracionit të paligjshëm dhe virusit COVID-19.

Vëzhguesit ndërkombëtar deklarojnë se koronavirusi s’është tjetër veçse një justifikim nga ana e qeverisë hungareze për të ndaluar të drejtën e azilit në vend, tashmë e kufizuar nga politikat e ndjekura nga Orban.

Hungaria nuk ka konfirmuar ende ndonjë rast të infektuar me koronavirus dhe 4.927 testet e kryera në pikat kufitare, kanë rezultuar negativ.

Mirëpo, sipas qeverisë hungareze, COVID-19 mund të sillet nga emigrantët që vijnë nga Irani, i cili rezulton si vendi i katërt më i prekur në botë nga koronavirusi, me 2.336 raste të konfirmuara, duke përfshirë këtu 77 të vdekur dhe 291 persona të kuruar.

Emigrantët iranianë mbajnë vendin e katërt midis atyre që kërkojnë azil në Hungari, duke u renditur pas emigrantëve afgan, iraken dhe pakistanez.

Në shumicën e rasteve, iranianët, mbërrijnë në kufirin hungarez përmes Turqisë, ku atje, ata, kanë jetuar me muaj, në mos me vite dhe për këtë arsye azilkërkuesit Iranian nuk ka gjasa që të mbartin koronavirusin.