Pas vdekjes së disa qytetarëve në Itali nga koronavirusi, shqiptarët ndjehen të frikësuar për përhapjen e sëmundjes edhe në vendin tonë.
Ata thonë se shqetësimi është i madh pasi kontaktet me Italinë fqinje janë të shumta.
Lajmet e fundit për koronavirusin kanë sjellë fluks kërkesash për maska mbrojtëse në farmaci. Shumë prej tyre kanë patur shitje rekord, madje edhe me çmime më të larta. Ndërsa sot, në disa prej tyre kishte edhe mungesa.
Rritja e beftë e kërkesës është shoqëruar me abuzime më çmime, sidomos nga depot farmaceutike. Maskat e thjeshta nga 20 lekë që shiteshin deri një ditë më parë, sot kushtojnë 80 lekë.
Çmimi është thuajse trefishuar, ndërsa maskat prej karboni nga 330 lekë sot u shitën 800 lekë.
Edhe pse nuk ka asnjë rast të konfirmuar zyrtarisht, shumë njerëz kanë shtuar masat sidomos për higjienën, duke blerë e përdorur masivisht dezinfektantët.
Mjekët thonë se paniku i përhapur në popullatë është i ekzagjeruar. Mjekët thonë se kujdesi ndaj higjienës personale dhe shmangia e mjediseve të mbyllura, është mbrojtja më e mirë në këtë periudhë virozash.