Maratona e Pekinit, në të cilën do të priteshin rreth 30 mijë pjesëmarrës, më 31 tetor, u shty në një datë të mëvonshme për shkak të shpërthimit të rasteve të Covid-19 në vend. Vendimi u mor “për të parandaluar përhapjen e rrezikut të epidemisë dhe për të mbrojtur në mënyrë efektive shëndetin dhe sigurinë e shumicës së vrapuesve, stafit dhe banorëve”.
Përhapja e re e infeksioneve, e cila filloi rreth 10 ditë më parë, lidhet me një grup turistësh që ishin në Shanghai para se të fluturonin në Xian, Gansu dhe Mongoli dhe vjen pak më shumë se 100 ditë para fillimit të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022, që do të hapet më 4 shkurt. Nga infeksionet e raportuara të dielën, 19 kanë të bëjnë me Mongolinë e Brendshme, katër në Guizhou dhe Gansu, dy në Pekin, Hebei dhe Shaanxi.
U anulua gjithashtu edhe Maratona e Wuhanit, qyteti ku u identifikua për herë të parë koronavirusi në fund të 2019-s. Ajo duhej të zhvillohej të dielën me 26 000 pjesëmarrës, por u anulua për shkak të shqetësimeve për rifillimin e koronavirusit. Autoritetet kineze, të cilat kanë zgjedhur qasjen “zero Covid”, po përpiqen të mbajnë infeksionet e virusit përmes testimit masiv të banorëve dhe bllokimeve të synuara, ndërsa shpërthimi deri më tani ka prekur 11 provinca.