Bota Grusht shteti nga ushtria në Sudan, arrestohet kryeministri

Grusht shteti nga ushtria në Sudan, arrestohet kryeministri

Kryeministri i përkohshëm i Sudanit dhe një numër zyrtarësh të lartë janë arrestuar këtë të hënë në Sudan, sipas deklaratave të ministrisë së informacionit – veprime të cilat i janë atashuar një grushti shteti të organizuar nga ushtria.

Në pjesë të shumta të vendit linjat e internetit janë shkëputur dhe forcat ushtarake kanë mbyllur urat, sipas disa informacioneve paraprake të shpërndara në faqen zyrtare të ministrisë në Facebook. Vendndodhja e kryeministrit të vendit, Abdalla Mamdok, është ende e panjohur, ndërkohë që stacioni televiziv kombëtar po transmeton në sfond muzikë tradicionale patriotike dhe pamje nga lumi i Nilit.

Grupi kryesor pro-demokrat në Sudan si dhe partitë më të mëdha politike i bënë thirrje qytetarëve të dalin në rrugë dhe ta kundërshtojnë këtë grusht ushtarak që mendohet të jetë ndërmarrë nga ushtria. Mijërat qytetarë kanë dalë në protesta në Khartoum dhe Omdurman, duke bllokuar rrugët dhe i vënë zjarr gomave të makinave, ndërkohë që forcat e sigurisë kanë përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Një marrje e pushtetit me forcë nga ushtria do të ishte një pengesë e madhe për Sudanin, i cili është hasur prej kohësh me një tranzicion të gjatë drejt sistemit demokrat, qëkur udhëheqësi ‘legjendar’ Omar al-Bashir u rrëzua dy vite më parë nga protesta popullore masive.

Arrestimet e kësaj të hëne vijën një javë pas tensioneve të ngritura mes qytetarëve dhe liderëve ushtarakë. Një përpjekje për grusht shteti në shtator dështoi, por ajo shërbeu për të përcaktuar kampet kundërshtare – në njërën anë islamistët konservatorë që janë pro një qeverie ushtarake dhe në anën tjetër, protestuesit të cilët rrëzuan al-Bashir dy vite më parë. Gjatë këtyre ditëve, të dyja kampet kanë mësyrë rrugët e vendit në demonstrata të dhunshme.

Sudani është munduar prej vitesh t’i shpëtoi stigmatizimit si një vendi ‘margjinal’. Që prej vitit 2020, SHBA e hoqi atë nga lista e vendeve mbështetëse të terrorizmit, duke i hapur dyert investimeve dhe kredive ndërkombëtare që prej kohësh kishin qenë më shumë se të nevojshme. Sidoqoftë, ekonomia e vendit po kalon një fazë të vështirë pas reformash të shumta ekonomike të imponuara nga institucionet ndërkombëtare huadhënëse.

Kjo nuk është hera e parë që Sudani pëson një grusht shteti ushtarak. Në fakt ka patur disa të tillë në kohën kur vendi deklaroi pavarësinë nga Britania dhe Egjipti në vitin 1956. Al-Bashir erdhi në pushtet në vitin 1989, gjithashtu me anë të një grushti ushtarak që rrëzoi kryeministrin e fundit në këtë shtet, të zgjedhur me votë të lirë.