Bota Frika nga varianti Delta, Gjermania dhe Britania do të ofrojnë dozën e...

Frika nga varianti Delta, Gjermania dhe Britania do të ofrojnë dozën e tretë të vaksinës

Nga muaji shtator, Gjermania do të ofrojë dozë shtesë të vaksinës kundër COVID-19 mes shqetësimeve që ka shkaktuar përhapja e variantit Delta të koronavirusit. Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn dhe 16 ministrat e landeve u pajtuan se grupet më të rrezikuara, si të moshuarit apo ata me imunitet të dobët do të marrin të parët dozën përforcuese të vaksinës.

Siç u tha, imunizimi do të vijojë me vaksinat ARN të Pfizer dhe Moderna, pavarësisht se çfarë vaksinash janë përdorur më parë. Vendimi merret mes informacioneve që sugjerojnë rënie të shpejtë të mbrojtjes imunitare te disa persona të cilët kanë marrë dy dozat e vaksinave.

Ministrat u dakordësuan gjithashtu të mundësojnë imunizimin ndaj Covid-19 për të gjithë fëmijët nga mosha 12 deri në 17 vjeç. Ndërsa theksuan se vaksinimi nuk është i detyrueshëm ministrat thanë se ai do të kontribuojë ndjeshëm për një kthim të sigurt në shkolla pas pushimeve verore.

Edhe qeveria britanike e Boris Johnson po përgatit një plan për administrimin e një doze të tretë të vaksinave kundër Covid-19 për personat e moshuar, me sëmundje kronike, të cilët janë subjekt në rrezik për infektimet respiratore, sipas medias, edhe pse nuk ka ende një njoftim zyrtar.

Sipas “Daily Telegraph”, zëvendësministri përgjegjës për fushatën e vaksinimit, Nadhim Zahawi krijoi një grup pune me deputetë për këtë çështje.

Një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë konfirmoi se ekzekutivi aktualisht është duke u përgatitur për një plan vaksinimi të mëtejshëm dhe se konsulentët mjekësorë shkencorë të Komitetit të Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (Jcvi) tashmë kanë hartuar një rekomandim të parë të përkohshëm mbi kategoritë prioritare.