Bota Italia deklasifikon dokumentacionit për “Gladio” dhe lozhën Masonike P2

Italia deklasifikon dokumentacionit për “Gladio” dhe lozhën Masonike P2

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, ka firmosur së fundmi një Direktivë  që çon në deklasifikimin dhe depozitimin në Arkivin Qendror të Shtetit, të dokumentacionit që ka të bëjë me Organizatën “Gladio” dhe Lozhën Masonike P2.

Kjo direktivë pason një të ngjashme të vitit 2014, që kishte të bënte me deklasifikimin e dokumenteve që lidhen me akte terroristë në Italinë e pas Luftës së Dytë Botërore si ajo në Piazza Fontana në Milano (1969), në Gioia Tauro (1970), Peteano (1972), në Kuesturën e Milanos (1973), Piazza della Loggia në Breshia (1974), e Italicus (1974), Ustikës (1980), në stacionin e trenit në Bolonja (1980) dhe Rapido 904 (1984).

Direktiva ka rëndësi të madhe për hapjen e dokumentacionit të shërbimeve sekrete për dy prej ngjarjeve nga më përcaktueset për historinë politike të Italisë së pas fashizmit.

Organizata “Gladio” është emri italian i një operacioni të prapavijës, organizuar në Perëndim gjatë Luftës së Ftohtë, si një përgjigje ndaj një pushtimi eventual nga Bashkimi Sovjetik. Në Itali, emri i Gladio u bë publik në vitin 1984 nga një terrorist i krahut të djathtë dhe ai u njoh zyrtarisht në vitin 1990 nga ish-kryeministri Giulio Andreotti që dha edhe një listë prej mbi 600 njerëzish të përfshirë.

Për “Gladio” është spekuluar shumë se ka qenë pas disa akteve të sipërcituara, të organizuara në kontekstin e një strategjie tensioni për të justifikuar një rrezik terrorist, një rrezik të majtë dhe më gjerë për të përligjur kështu një strukturë pushteti në Italinë e atyre vieve.

Nga ana tjetër, Lozha Masonike P2, është shembulli më emblematik i natyrës groteske të funksionimit të Italisë me të famshmin Licio Gelli si drejtuesi i saj. Një lozhë e vjetër masonike e shndërruar në një grupim anti-komunist dhe anti-sovjetik që rekrutoi disa figura në Itali dhe që u popullarizua në media në kuadër të skandaleve si ai për bankën Ambroziane, vrasjen e gazetarit Mino Pecorelli dhe bankierit Roberto Calvi.