Frikë dhe terror në fluturimin OZ8124 të kompanisë koreano-jugore ”Asiana Airlines”.
Kur avioni ishte rreth 210 metra nga toka, dy ose tre minuta para uljes, një pasagjer hapi derën, duke shkaktuar panik.
Megjithatë, piloti arriti të ulte avionin në mënyrë të sigurt. “Airbus 321”, me 194 persona dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit, ishte nisur nga ishulli jugor Jeju me drejtim për në qytetin juglindor të Daegut. Disa pasagjerë u dërguan në spital për të konstatuar gjendjen e tyre.
Dera u hap nga një burrë rreth të tridhjetave, i cili ishte ulur në një dalje emergjence. Pasagjerët e tjerë, kur panë se çfarë po bënte, u përpoqën ta ndalonin, por pa sukses.
Kapaku mbeti pjesërisht i hapur për disa minuta, derisa “Airbus” u ul i sigurt nga pilotët. Shpejtësia e uljes së një “Airbus 321” është afërsisht 262 kilometra në orë.
Nuk pati lëndime serioze, por 12 persona kërkuan kujdes mjekësor për probleme të frymëmarrjes dhe nëntë prej tyre u shtruan në spital.
Në bord kishte disa fëmijë. “Ata po dridheshin, qanin dhe kishin frikë”, tha prindi i njërit prej tyre për agjencinë e lajmeve “Yonhap”. Pas uljes, personi përgjegjës është arrestuar nga policia.