Koronavirusi nuk po kursen askënd. Në Belgjikë humbi jetën një vajzë 12-vjeçare. Rasti shokoi mjekët dhe infermierët që folën për një përkeqësim të papritur, pas 3 ditësh temperaturë.
Komplikacionet janë të paparashikueshme, në çdo moshë. Këtë e dinë mirë në Shtetet e Bashkuara, ku guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo përcolli një mesazh dramatik për popullsinë. “Nëse ka pasur ndonjëherë ndonjë moment për të qëndruar të bashkuar është ky.”
Pas vdekjes së një 19-vjeçari në qytetin më të prekur në SHBA, Cuomo paralajmëroi se virusi nuk bën diskriminime, “sulmon të gjithë”. Në Ilinois, COVID-19 i mori jetën një të mituri që ende nuk kishte mbushur 1 vjeç.
Edhe në Britaninë e Madhe shtohet frika. Pas vdekjes se një 19-vjeçari, Mbretëria e Bashkuar vajtoi humbjen e një të riu vetëm 18 vjeç, e më pas një 13-vjeçari. Adoleshenteve u shtohen edhe një 26 vjeçare që ndërroi jetë të dielën dhe një baba 28-vjeçar që deri pak ditë më parë dukej në gjendje të mirë shëndetësore.
Po në të njëjtën kohë në Portugali, vdiq Vitor Godinho, 14-vjeçar. Të njëjtin fat patin 16-vjeçarja Julie në Francë. Kolla, fillimisht jo shqetësuese, u shndërrua në një pneumoni që nuk i la rrugë shpëtimi.