Kuriozitete Fshati italian pa koronavirus nxjerr shtëpitë në shitje për 1 euro

Fshati italian pa koronavirus nxjerr shtëpitë në shitje për 1 euro

Një fshat i vogël në Itali ka nxjerrë në shitje prona për 1 euro, në një përpjekje për të rigjeneruar zonën që është braktisur ose është lënë pas dore. Bëhet fjalë për fshatin Cinquefrondi, në jug të Kalabrisë.

Por, ka një kusht për blerësit. Ata duhet të investojnë në pronën që blejnë, në mënyrë që të kontribuojnë në rinovimin e fshatit. Nëse rinovimi i shtëpisë së blerë nuk bëhet brenda 3 viteve, blerësi do të gjobitet me 20 000 euro.

Kryebashkiaku Michele Conia tha për CNN: “Gjetja e pronarëve të rinj për shtëpitë e braktisura që kemi këtu është çelësi i “Operacionit Bukuria”, që kam nisur për të rikthyer pjesët e lëna pas dore të zonës”.

Përveç çmimit, një arsye që mund të tërheqë blerësit është edhe fakti se në këtë fshat nuk është regjistruar asnjë rast me koronavirus.

“Shumë njerëz kanë ikur gjatë dekadave të fundit, duke lënë pas shtëpitë bosh. Nuk mund të dorëzohemi. Gjendemi mes kodrave dhe plazhin e kemi 15 minuta larg me makinë. Kërkojmë nga blerësit garanci që do të rinovojë banesën”, shprehet Conia.