Nga Mero Baze
Presidenti Bamir Topi ka botuar librin e tij autobiografik më të vlefshëm që kam lexuar mes politikanëve shqiptarë. Në kontrast me karrierën e tij të heshtur politike, libri është një dëshmi e detajuar dhe e vërtetë e asaj çfarë ka ndodhur në kulisat e politikës shqiptare, në rrugëtimin e tij si politikan, prej viteve ’90, deri në postin e presidentit.
Ka së paku dy moment, që zoti Topi ja ka pasur detyrim qytetarëve shqiptarë të dëshmojë, dhe ai e ka bërë me vërtetësi.
E para, është mënyra se si u zgjodh president dhe me votat e deputetëve socialistë që ju bashkuan atij. Të gjithë ne që jemi të përfshirë në ngjarjet politike të vendit, pak a shumë e dinim të vërtetën, por ajo ka pasur gjithnjë nevojë të dëshmohet nga personazhet.
Bamir Topi e dëshmon me vërtetësi. Votat e tij për president u siguruan fillimisht nga një lëvizje e brendshme në PD, që ju imponua Berishës, duke afirmuar një shumicë deputetësh pro tij.
Pas kësaj, Berisha ishte i detyruar të shpëtonte nga armiku i tij, duke i dhënë atë që meritonte, ose do rrëzohej nga qeveria.
Pasi arriti të sigurojë këtë, Bamir Topi dëshmon takimin sekret me Fatos Nanon, dhe votat që ish- kryeministri socialist i ofroi si mbështetje nga radhët e socialistëve.
Momenti i dytë është 21 janari. Bamir Topi rrëfen me vërtetësi gjithë atë që ndodhi në zyrën e tij, para dhe pas aktit makabër të vrasjes së katër protestuesve nga Sali Berisha, dhe konfirmon të plotësuar me detaje, një bisedë timen me Sokol Oldashin që e kam botuar dy vite më parë, për qëndrimin e Lulzim Bashës dhe vizitën e tij në zyrën e presidentit dy ditë më vonë, kur këshillën miqësore të Topit, “ti bën mire të shikosh letrat e tua”, ai ja transformoi Berishës si kërcënim, dhe pastaj nisi shpallja e “skenarit B”, për puç institucional shteti.
Libri ka dhe plot episode të tjera nga jeta e tij si president, të mbushura me detaje bindëse në atë që dëshmon, duke qenë një libër që thyen tabunë e librave me kujtime me gjuhë të drunjtë që botohen në Shqipëri, sa për të kaluar radhën.
Në fund, dua të theksoj një vlerë tjetër që ka, jo vetëm libri, por akti i të shkruarit të një libri, nga një politikan i lartë shqiptar. Të shkruash një libër për vetveten nuk është e lehtë, pasi duhet t’i bësh gjyqin vetes kur të shkruash. Nuk është si ato tregimet gojore që shpesh bën fjala Sali Berisha, kur për të njëjtën ngjarje dhe kohë, tregon dhjetë here, dhjetë gjëra të ndyrshme.
Kur ulesh të shkruash libër, je i dënuar të shkruash vetëm një qëndrim dhe atë që ka ndodhur.
Akti i të shkruarit libër, tregon se je i qetë me veten, dhe historinë. Sali Berisha për shembull nuk mund të shkruajë dot kurrë një libër për jetën e tij politike. E ka të pamundur tashmë pas tridhjetë vjetësh, pasi ka dhënë aq shumë versione dhe dëshmi të gënjeshtërta për të njëjtët personazhe dhe ngjarje, sa nuk e shkruan dot librin për vetveten. Dhe ky është një nga ndëshkimet që marrin politikanët e tipit të tij. As të bëjnë gjyqin e vetes nuk kanë më fuqi.
Qoftë dhe për këtë fakt, Bamir Topi mund të quhet me fat, që mund ta shkruajë librin e tij.