Përballja e 7-të televizive mes kandidatëve demokratë për Shtëpinë e Bardhë, mori një rrjedhë më personale, në prag të primareve të Ioua në 3 shkurt. Në veçanti mes Elizabeth Warren dhe Bernie Sanders, të cilët rivalizohen për mbështetjen e kampit liberal e që në fund të debatit nuk shtrënguan as duart, edhe pse kanë qenë miq të vjetër.
Senatori i Vermontit mohoi t’i ketë thënë Warren se një grua nuk do t’ia dilte kurrë të fitonte Presidencën në vitin 2020-të. Por senatorja e Massachusetts jo vetëm konfirmoi akuzën, por tha se në ndryshim nga rivalët meshkuj, kishte triumfuar në çdo zgjedhje ku kishte marrë pjesë.
“Në fakt, nuk e kam thënë. Dhe nuk dua të humbas gjithë kohën lidhur më këtë çështje, pasi kjo është ajo që kërkon Donald Trump dhe ndoshta disa media. Kushdo që me njeh, e di se sa e pakuptimtë është që unë të mendoj se një grua nuk mund të jetë president”, tha senatori i Vermontit, Bernie Sanders.
Ndërsa Elizabeth Warren u shpreh: ”Nuk jam dakord. Bernie është miku im dhe unë nuk kam ardhur këtu të luftoj me të. Por pyetja nëse një grua mund të jetë presidente është ngritur dhe ka ardhur koha që ne ta kundërshtojmë fort atë. A mundet një grua ta mundë Donald Trump? Shikoni burrat që janë në këtë skenë, të gjithë bashkë kanë humbur 10 zgjedhje. Të vetmet këtu që kanë fituar çdo zgjedhje ku kanë marrë pjesë janë gratë. Amy dhe unë”.
Pjesa tjetër e debatit nuk pati ndonjë zhvillim të pazakontë. Kandidatët shkëmbyen opinione lidhur me tensionet me Iranin e mbi mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane. Pak shumë të gjithë kandidatët kundërshtuan idenë e një lufte pa fund.
Sanders, siç ishte parashikuar ju rikthye sulmeve ndaj Biden, i cili votoi në favor të luftës në Irak në vitin 2002 në ditët e presidentit George H Bush, por ish-zv/presidenti deklaroi se ishte kandidati më i kualifikuar për të menaxhuar një krizë gjeopolitike. Ish zv/presidenti kryeson sondazhet, por përballet me konkurrencë të fortë nga Sanders e më pas Warren dhe Pete Buttigieg, si në Ioua ashtu edhe në New Hampshire.
Primaret e Iouas, konsiderohen si një tregues kyç mbi kandidatët në Pole Position për nominimin e partisë. Nga viti 2000 deri më sot, çdo sfidues demokrat që është pozicionuar i pari në Ioua, përfshirë ish-presidentin Barak Obama në vitin 2008 ka fituar nominimin e partisë.