Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko ka deklaruar të hënën se është gati të ndajë pushtetin.
Në deklaratën e tij, Lukashenko ka nënvizuar se nuk dëshiron ta bëjë një gjë të tillë nën presionin e protestave që kanë mbushur rrugët, të cilat e kanë vendosur nën një presion shumë të madh në 26 vite qeverisje.
Reagimi i Lukashenkos erdhi pasi punëtorë të sektorëve të ndryshëm në vend filluan një grevë ditën e hënë, në shenjë proteste ndaj rizgjedhjes së tij.
Grevës iu bashkua edhe stafi i televizionit shtetëror, pjesëtarët e të cilit braktisën vendin e punës dhe dolën në rrugë, për të manifestuar pakënaqësinë ndaj censurës dhe rezultatit të zgjedhjeve.
Ndërkohë, kandidatja e opozitës Svetlana Tikhanovskaya sugjeroi se mund të veprojë si një lidere e përkohshme e vendit.
Në një video-konferencë nga Lituania, ajo u bëri gjithashtu thirrje forcave të rendit që të heqin dorë nga mbështetja për Lukashenkon, duke premtuar se sjellja e tyre gjatë protestave do të falet nëse ata e ndërmarrin këtë hap në këto momente.
“Jam gati të marr përsipër përgjegjësinë dhe të veproj si një lidere kombëtare gjatë kësaj periudhe, në mënyrë që vendi të qetësohet dhe t’i kthehet normalitetit. Në mënyrë që të lirojmë të burgosurit politikë dhe të përgatisim një kornizë ligjore dhe kushtet për të mbajtur një tjetër raund zgjedhjesh presidenciale në një kohë sa më të shkurtër”, deklaroi Tikhanovskaya.
Greva masive vjen pasi ditën e diel, në kryeqytetin Minsk u zhvillua një protestë kundër kreut të shtetit, ku morën pjesë disa dhjetëra mijëra njerëz.