Sport Një rikthim kroat në stafin e Pirlos

Një rikthim kroat në stafin e Pirlos

Pas Andrea Pirlos si trajner, Juventusi mund të zyrtarizojë një rikthim tjetër, që do t’i kënaqte tifozët bardhezinj. Fjala është për Igor Tudor, ish-mbrojtës i “Zonjës së Vjetër” midis viteve 1998 dhe 2007. Sipas “Sky Sport”, kroati i tha “po” propozimit të “Maestro” për ta pasur atë në stafin e tij. Mbetet të mësohet roli i saktë që ai do të duhet të luajë, edhe pse të gjitha të dhënat sugjerojnë se do të jetë bashkëpunëtori teknik i Pirlos.

Sidoqoftë, Tudor së pari do të duhet të çlirohet nga Hajduk Split, të cilin e mori përsipër që nga 1 janari i kaluar, duke e marrë atë në vendin e pestë në kampionatin kroat. Në të kaluarën, Tudor ka trajnuar edhe Galatasaray me Udinese, duke i shpëtuar friulianët dy herë radhazi nga zbritja prej Serie A.

Stafi teknik i Pirlos (i cili, së fundi u takua me menaxhmentin bardhezi për ta diskutuar këtë) duket se do të përbëhet si më poshtë: përveç Tudor, të lartpërmendurit, Roberto Baronio (zv), Paolo Bertelli (trajner atletik), Claudio Filippi (trajner i portierëve) dhe Antonio Gagliardi (analist i ndeshjeve).