Presidenti rus Vladimir Putin është gati ti japë fund luftës në Ukrainë, përmes një marrëveshje armëpushimi që do të njihte kufijtë aktualë në fushëbetejë.
Kështu pretendojnë 4 burime ruse të cituara nga agjencia e lajmeve Reuters, sipas të cilave Putini është i përgatitur ta vazhdojë luftën nëse Kievi dhe perëndimi nuk i përgjigjen propozimit.
Tre nga burimet, që janë në dijeni të diskutimeve të nivelit të lartë në Kremlin, thonë se presidenti rus ka shprehur frustrim tek një grup i vogël këshilltarësh, mbi ato që i sheh si përpjekje të mbështetura nga Perëndimi për të prishur negociata e po ashtu lidhur me vendimin e Zelenskit për të përjashtuar mundësinë e bisedimeve.
“Putin mund të vazhdojë luftën për aq kohë sa do të nevojitet, por ai është gjithashtu i gatshëm për armëpushim, për ta pezulluar luftën”, thanë burime të cituara nga Reuters.
Agjencia e lajmeve Reuters thotë se ka biseduar me një total prej 5 personash që kanë punuar ose punojnë me Putinin në instancat e larta të qarqeve politike dhe të biznesit, por zyrtari i pestë nuk komentoi lidhur me ngrirjen e luftës në vijat aktuale të frontit. Zëdhënësi i Putin, Dmitri Peskov, duke ju përgjigjur kërkesës për koment, deklaroi se shefi i Kremlinit e kishte bërë vazhdimisht të qartë se Rusia ishte e hapur për dialog për arritjen e synimeve të veta, dhe se vendi nuk e donte një luftë të përjetshme.
Siç pretendojnë burimet, Putini beson se arritjet e deri tanishme në luftë ishin të mjaftueshme për ti shitur fitoren rusëve. Por aktualisht, mundësia e një armëpushimi e madje edhe bisedimeve të paqes duket e largët, teksa Zelenski zotohet të rimarrë territorin e humbur dhe refuzon dialogun me Putinin.
Një prej burimeve të cituara nga Reuters parashikon se marrëveshja nuk mund të arrihet për sa kohë Zelenski është në pushtet, përveçse nëse Moska do të zgjidhte ta anashkalonte atë duke e sigluar ujdinë me Uashingtonin.