Gazeta greke “Ekathimerini” ka bërë një artikull në lidhje me xhamitë në Ballkan, specifikisht për xhaminë e “Namazgjasë”.
Në artikull thuhet se presidenti Rexhep Taip Erdogan po përdor fenë për të depërtuar në Ballkan dhe se ky duhet të jetë një shqetësim për vendet perëndimore.
Më tej artikulli thekson se përveç fesë islame, në xhaminë e “Namazgjasë” do të mësohet edhe gjuha turke.
Artikulli i plotë
Ndërtimi nga Ankaraja i xhamisë më të madhe të Ballkanit në qendër të Tiranës, është shembulli më i fundit i kësaj qasjeje nga Turqia në rajon. Projekti po ecën përpara shpejt dhe pritet të përfundojë deri në fund të vitit.
Xhamia e “Namazgjasë” synon të jetë një qendër e madhe fetare që mund të strehojë më shumë se 5000 vetë në të njëjtën kohë, duke përfshirë edhe një bibliotekë, një qendër kulturore dhe një sallë konferencash. Përveç Kuranit, njerëzit gjithashtu do të mësojnë edhe gjuhën turke.
Nuk ka dyshim se financimi i shkollave dhe organizatave myslimane, si dhe ndërtimi i xhamive janë të gjitha pjesë e axhendës neo-osmane të Rexhep Taip Erdogan.
Presidenti turk ndoqi ceremoninë përuruese për xhaminë e Tiranës në vitin 2015, duke e quajtur atë “simbol unik të vëllazërisë midis kombeve tona”. Xhamia mund të gjendet në Shqipëri, por nga ana arkitektonike i ngjan atyre në Stamboll.
Ndërkohë, në Kosovën fqinje, Turqia ka financuar restaurimin e dhjetëra ndërtesave fetare nga periudha osmane dhe ndërtimin e më shumë se 20 xhamive në vitet e fundit. Po planifikon gjithashtu një ndërtesë tjetër të ngjashme me atë të Tiranës, e cila do të jetë në Prishtinë.
Këto nisma nuk janë thjesht një shenjë e ndjeshmërisë fetare të Erdogan. Ato janë në qendër të një plani ambicioz dhe afatgjatë për promovimin e rolit të Turqisë si kampion dhe mbrojtës i të gjithë myslimanëve në Ballkan, ndoshta edhe të gjithë “vëllezërve tanë” (siç i cilëson Erdogan) edhe në pjesën tjetër të Europës.
Erdogan inauguroi një xhami të re në Këln vetëm pak muaj më parë. Prandaj lind pyetja, si shqiptarët dhe popujt e tjerë të Ballkanit ndihen për këtë prani në rritje të Turqisë në vendet e tyre nëpërmjet rrugës në dukje dashamirëse të fesë.
A e mirëpresin atë? A janë ata indiferentë? Ose a janë të shqetësuar? Dhe në të njëjtin kontekst, si mundet Greqia dhe Bashkimi Europian si një plan i tërë, për t’u marrë me këtë politikë të Turqisë?
Marrë nga Kathimerini