Vdekja e ambasadorit rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin nga një sulm në zemër nuk po ia mbush mendjen një gazete serbe.
E përditshmja beogradase ‘Srpski Telegraf’ ka ngritur pretendimin e çmendur se njerëzit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë gisht në vrasjen e diplomatit rus.
Ky spekulim i egër që për redaktorët e gazetës në fjalë ka pasur rëndësi sa të vihet në ballinë, nis me titullin ‘UÇK vrau Çurkinin’ („OVK ubio Čurkina?”).
‘Srpski Telegraf’ shkruan në brendi të artikullit se ambasadori rus u vra për shkak se ai këmbëngulte që të hetoheshin të gjitha vrasjet e serbëve dhe trafikimi i organeve në Kosovë.
Gjithnjë sipas artikullit, kjo vrasje është bërë si hakmarrje ndaj formimit të Gjykatës Speciale për shqiptarët.
Poashtu në artikull jepet fotografia e Hashim Thaçit, Agim Çekut dhe Ramush Haradinajn, për të cilët thotë se ndaj tyre po përgatiten procese gjyqësore.