Ekziston një mister pas investigimit të Peter Tiede-it, gazetari i “Bild”-it që provokoi një tërmet në Shqipëri, duke publikuar përgjime audio, të cilat janë në dorë vetëm të Prokurorisë që po heton mbi dosjen 339/1.
Tiede pretendon se ka qenë në Shqipëri, ka investiguar, ka dëgjuar burime të ndryshme dhe pastaj i ka gjetur ato përgjime “nga një burim shumë e besueshme”.
Edhe disa gazetarë shqiptarë kanë thënë se e kanë takuar atë, madje se janë habitur nga sasia e informacioneve që zotëronte.
Por, nga një investigim i Shqiptarja.com, del në pah një mister. Misteri ka të bëjë me faktin se, sipas sistemit elektronik TIMS, që regjistron hyrjet dhe daljet e qytetarëve shqiptarë e të huaj në pikat kufitare shqiptare, Peter Tiede, 49 vjec, nuk ka qenë kurrë në Shqipëri.
Ose, për të qenë më të saktë, ka qenë vetëm dy herë: për vetëm tri orë në janar 2016 dhe pastaj në shkurt 2017. Të dy herët, Tiede ka hyrë në Shqipëri me makinë nga Greqia nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës.
Më 25 janar 2016 mbërriti në Shqipëri në orën 10.13 nga Greqia, por doli tri orë më pas, më 13.09, nga pika e vogël kufitare e Goricës, i drejtuar dukshëm drejt Maqedonisë.
Herën e dytë ka hyrë sërish me makinë në orën 17.17 të datës 16 shkurt 2017 dhe, më pas, nuk dihet as se kur, dhe as se nga, ka dalë, pasi në sistemin TIMS nuk rezulton më i regjistruar.
Pikërisht ky element bën të dyshohet se Peter Tiede mund të ketë dalë drejt Kosovës nga Morina, që është një “vrimë” e vërtetë në sistemin shqiptar të kufirit, pasi aty shpesh policia shqiptare dhe policia kosovare, për arsye të pakuptueshme, pranojnë të mos regjistrojnë në sistemin TIMS qytetarët dhe të huajt që kalojnë.
Po si ka mundësi që, nga 16 shkurti 2017 e deri më sot, Peter Tiede nuk rezulton të ketë hyrë më në Shqipëri?
Ka kaluar gjithnjë nga Kosova? Dhe, pse një gazetar, që vjen nga Gjermania, zgjedh të bëjë një udhëtim nga toka deri në Tiranë, në vend që të vijë në mënyrë më komode me avion?
Dhe pse ka shmangur regjistrimin në kufi? Dhe si i ka investiguar skandalet e korrupsionit, për të cilat ka shkruajtur, pa shkelur në vend?
Misteri rëndon shumë, mbi të gjitha, mbi “scoop”-in e fundit të Peter Tiede-it: ku i ka marrë, me të vërtetë, gjashtë përgjimet?
Në disa deklarata të tij publike, Tiede ka dhënë siguri se ato vinin “nga Shqipëria”, por, meqë çdo gazetar ka merak të mbrojë burimet e veta, duhet të besohet e kundërta.
Fakti që në Shqipëri nuk rezulton të ketë qenë fare, duket se konfirmon atë, që Tiede ta ketë marrë materialin audio dhe pjesën tjetër të informacioneve, të përdorura në “investigimet” e tij, duke qendruar rehat në Gjermani.
Pikërisht në Gjermani ndodheshin Lulzim Basha dhe një pjesë e stafit të PD-së saktësisht ato ditë, kur Tiede merrte dhe publikonte gjashtë përgjimet e dosjes 339/1.
Por në Gjermani jetojnë edhe mijëra shqiptarë të tjerë, duke përfshirë edhe ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, i cili ka qenë një nga prokurorët që kanë patur akses lirisht në të gjithë dosjen 339.
Mungesa e çuditshme e Pieter Tiede-it në Shqipëri (apo lëvizjet e tij të mistershme) nuk venë në diskutim autenticitetin e përgjimeve të publikuara, por vetëm pavarësinë dhe paanshmërinë e burimeve, me të cilat ka punuar ai.
Si dhe arsyen e vërtetë të “investigimeve” të tij, përfshirë edhe pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykimeve dhe konkluzioneve politike që ai shpreh.