Ne mund të fajësojmë Shtetet e Bashkuara për mospasjen e një politike të jashtme të besueshme dhe të parashikueshme, por a janë më të qëndrueshëm europianët?
Daniel Bartha / BIRN / Budapest
Gëzuar ditëlindjen, por, të lutem, mos e prish festën.
Kjo mund të kishte qenë motoja e Samitit të 70-vjetorit të NATO-s në Londër këtë javë.
Presidenti francez Emmanuel Macron, problematiku i zakonshëm, pothuajse e prishi festën kur e quajti aleancën ushtarake “tru të vdekur” në një intervistë të fundit me The Economist.
Për fat të mirë, presidenti francez u bëri një nder të madh organizatorëve pasi presidenti amerikan Donald Trump nuk kishte nevojë për një objektiv të rastësishëm dhe në vend që të kritikonte të gjithë të tjerët që nuk i morën seriozisht angazhimet e tyre për shpenzimet për mbrojtjen, ai u ndje i fyer në emër të të gjithë komunitetit të shteteve anëtare.
NATO ka shumë për të festuar, por shëndeti i saj ishte disi më i mirë në të gjashtëdhjetat.
Aleanca arriti të rimarrë veten dy herë në dekadat e fundit për t’u përballur me sfida të reja. Transformimi i saj pas 11 shtatorit solli jetë dhe qëllime të reja për aleancën dhe ndërsa kriza globale financiare e dobësuan atë, Rusia i riaktivizoi të gjithë me pushtimin e saj të Krimesë dhe agresionit në Ukrainën Lindore.
Përshtatja ka filluar përsëri dhe samitet në Uells në 2014 dhe në Poloni në 2016 sollën reformat e nevojshme. Shtetet e Bashkuara u rikthyen në Europë, ndërsa aleatët europianë, sidomos në krahun lindor, filluan reforma dhe modernizim të pashembullt mbrojtës.
Ndërsa shumë u shqetësuan kur Trump kërcënoi të gjithë me një politikë tjetër me Rusinë, angazhimi dhe mbështetja e SHBA-së janë shtuar më tej dhe liderët europianë e morën atë më seriozisht sesa presidentin amerikan Obama kur planifikuan buxhetin e tyre të mbrojtjes.
Pra, çfarë nuk shkoi si duhet?
Një përgjigje e thjeshtë është ajo që shkencëtari politik Ivan Krastev shkruan në një artikull të fundit, se në 70 vitet e fundit, europianët kanë ditur se, pavarësisht se kush është në pushtet, politika e jashtme e Amerikës dhe përparësitë strategjike do të jenë konsistente. Sot të gjithë e vënë në pikëpyetje këtë.
Ndërsa shumë e konsiderojnë “trurin e vdekur” të Macronit si një shprehje të gabuar, ata pajtohen me të se Europës i duhet më shumë pavarësi në politikën e jashtme.
Në të vërtetë, konsensusi bipartizan mbi vlerat dhe qëllimet themelore të përfaqësuara nga Shtetet e Bashkuara në botë nuk është më i pranishëm, por a është Europa pa vend? A mendojmë ne vërtet se populizmi është i pranishëm vetëm në Shtetet e Bashkuara dhe në Europën Qendrore? Atëherë, po Macroni?
Të fajësosh SHBA-në për problemet globale, siç është lufta civile siriane, prania globale e Kinës, rritja e tensioneve me lidershipin autoritar turk apo edhe përçarja me Rusinë është më lehtë sesa të përballesh gjënë më të dukshme: pra, që Europës i mungon gjithashtu konsensusi i brendshëm për çështjet e përmendura mësipër.
Është Europa që ndërmjetësoi një marrëveshje me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për të mbajtur refugjatët në kampe turke dhe që dridhet sa herë që presidenti turk e përdor këtë marrëveshje për të shantazhuar kombet europiane.
Është Europa që nuk është në gjendje të pajtohet të dënojë dhe sanksionojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kinë. Është Europa ku liderët, përfshirë presidentin Macron dhe disa politikanë gjermanë, që po shkatërrojnë në mënyrë dinake sanksionet ndaj Rusisë.
Ne mund të fajësojmë Shtetet e Bashkuara se nuk kanë një politikë të jashtme të besueshme dhe të parashikueshme, por a janë europianët më të qëndrueshëm?
Ne nuk mund të mos përmendim rolin e Hungarisë në këto debate.
Budapesti bllokon dhe vë rregullisht veton në axhendën e përbashkët të BE-së, siç është fjala për dënimin e abuzimeve të të drejtave të njeriut në Kinë, dënimin e ndërhyrjes ushtarake turke në Siri ose për marrëveshjen e Samitit BE-Afrikë për migracionin.
Politikëbërësit në Uashington ndoshta po i ndjekin këto zhvillime me ndjenja të përziera, por nëse Hungaria vazhdon të bllokojë negociatat e NATO-s me Ukrainën, herët a vonë ajo do të bëjë diçka të papranueshme.
Pavarësisht nëse kryeministri hungarez Viktor Orbán blen armë amerikane dhe e vlerëson aleancën duke sugjeruar se “NATO është bërë pjesë e integritetit tonë”
Të gjithë vendet europiane do të duhet të vendosin dhe mbështesin ose Shtetet e Bashkuara ose Kinën në konfliktin e tyre të ardhshëm. Ata do të duhet të ofrojnë zgjidhje për të kundërshtuar praninë kineze dhe ruse në Lindjen e Mesme, Ballkanin Perëndimor dhe Afrikë pasi SHBA-ja nuk do të mbrojë interesat europiane.
Prova e vërtetë nuk është Donald Trump, por nëse dhe kur Europa do të jetë në gjendje të bëjë zgjedhjet e veta.
Deri atëherë, gëzuar ditëlindjen!