Ky është 26-vjeçari Armand Dumani, i cili mbrëmjen e së shtunës humbi jetën si pasojë e breshërisë së armëve.
I riu po udhëtonte si një pasagjer në makinën “Audi” që po drejtohej nga Erigers Mihasi. Të dy të rinjtë gjetën vdekjen e menjëhershme si pasojë e të shtënave në zonën e Astirit.
Autoritetet gjetën pas ngjarjes në zonën e Thumanës një makinë të djegur që dyshohet se është përdorur nga autorët. Aty kanë gjetur dy armë, numrat serialë të të cilëve ishin fshirë.
Mësohet se makina e përdorur nga autorët është vjedhur dhe denoncuar në Korrik të këtij viti. E gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë nga kompania që po bën punime në zonën e Unazës së Re. Megjithatë deri më tani nuk është bërë i mundur identifikimi i tyre. Autorët duken si hije dhe kanë të veshur kapele në momentin e kryerjes së atentatit.
26-vjeçari Armand Dumani njihet nga Policia e Tiranës si person me lidhje me shtetas me precedentë dhe i dyshuar për armëmbajtje pa leje.
Ndërkohë emri i Erigers Mihasit ka dalë në disa ngjarje të ndryshme kriminale, si në sulmin me armë ndaj kompleksit “Eiffel”, ku ai u raportua si një nga bashkëpunëtorët e sulmit.
Gjithashtu 32-vjeçari dyshohet edhe si personi kryesor që ka qëlluar me armë zjarri ndaj kushërinjve Mumajesi në Tiranë. Mihasi dyshohet se ka marrë pjesë në një ngjarje tjetër kriminale në vitin 2017 në Laç, ku ka mbetur i plagosur Rudolf Toma, punonjës në bashkinë e Kurbinit. Ai njihej si mik i ngushtë me Santiago Malkon, ish-policin që u vra më 27 gusht të vitit 2019.
Mihasi është arrestuar në vitin 2019, pasi dyshohet se ka qenë një prej autorëve të grabitjes me armë të banesës së prindërve të Elton Çiços në Tepelenë. Megjithatë për këtë ngjarje ai fitoi pafajësinë dhe u lirua disa muaj më pas.