Ekonomi Tronditja që Rusia i dha tregjeve ndërkombëtare, luhatja më e madhe e...

Tronditja që Rusia i dha tregjeve ndërkombëtare, luhatja më e madhe e dekadës

Pas nisjes së bombardimeve të Rusisë në Ukrainë, bursat botërore kanë pësuar ndër tronditjet më të mëdha të dekadës së fundit.

Çmimet e naftës së papërpunuar kanë arritur në mbi 100 dollarë për fuçi, nivele që nuk janë parë nga shtatori i vitit 2014, shoqëruar me frikën se mund të ketë ndërprerje të furnizimeve, nëse sanksionet e Perëndimit prekin eksportet ruse.

Shtrenjtim me gati 10 për qind kanë pësuar edhe tregjet e energjisë elektrike dhe grurit e miellit.

As tregu i monedhave virtuale nuk ka mbetur pa u prekur. Referuar agjencisë “Bloomberg”, kriptomonedha Bitcoin pësoi rënie me 8 për qind, fill pas orës 05:55 minuta, kohë kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi operacionin ushtarak në Ukrainë.

Ari dhe monedha kombëtare e Japonisë, jeni – të konsideruara streha të sigurta gjatë pasigurive globale – po ashtu kanë pësuar rritje të konsiderueshme.

Tregjet e aksioneve në Hong-Kong, Sidnei, Mumbai dhe Seul, kanë rënë për më shumë se 3 për qind, ndërsa ato në Tokio, Singapor, Tajpej dhe Uellingon kanë rënë më shumë se 2 për qind.

Rënie të ndjeshme kanë pësuar edhe tregjet e aksioneve në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetë Rubla ruse është zhvlerësuar me 9 për qind, duke nxitur bankën qendrore të Federatës Ruse të ndërhyjë për të stabilizuar tregun.

Ekspertët parashikojnë që kriza në Ukrainë do të reflektohet së shpejti në Europë e Ballkan, pa përjashtuar Shqipërinë, vend i cili ka një farë varësie për grurë, miell, gizë, çelik e lëndë djegëse.