Sport Gjermania e para, Anglia e fundit: Datat e rinisjes së futbollit në...

Gjermania e para, Anglia e fundit: Datat e rinisjes së futbollit në Europë

Bajerni ka filluar stërvitjen

Kur do të rifillojnë ndeshjet? Bota e futbollit pyet vazhdimisht për këtë çështje, edhe pse emergjenca shëndetësore ende nuk ka kaluar. Koronavirusi ka ndalur sezonin 2019-20 në pjesën më të bukur të tij dhe dëshira për rikthimin e ndeshjeve, edhe pse me dyer të mbyllura, është e madhe. Si po organizohen 5 ligat më të forta në Europë?

Në Itali nuk ka ende një datë zyrtare, si në shumë vende të tjera. Liga dhe Federata po punojnë në lidhje me tri fundjava të ndryshme për rikthimin: versioni më optimist është 23-24 maji, më pesimisti 6-7 qershori dhe i mesmi 30-31 maji. Në fillim të majit parashikohet paraprakisht që skuadrat të kthehen në fushën e stërvitjes.

Në Angli emergjenca e koronavirusit mbërriti pak me vonesë në krahasim me Italinë. Është logjike që edhe kampionati do të nisë pas Serisë A, gjithmonë nëse do të rinisë. Nuk ka një datë të përafërt, pasi ra poshtë 3 maji që ishte planifikuar më parë. Virusi është përhapur në gjithë vendin dhe në përgjithësi flitet për qershorin si muajin e rikthimit, por pa datë të saktë. Stërvitja mund të rinisë në mes të majit.

Spanja është një ndër vendet më të goditur nga koronavirusi. Ashtu si Italia, Spanja ka shumë viktima, megjithatë La Liga po përpiqet të organizohet. Tre janë datat që Havier Tebas, presidenti i Ligës, sheh si më të mundshmet, sipas direktivave të UEFA-s: 28 maj, 6 qershor dhe 28 qershor. Stërvitja duhet të rifillojë në fillim të majit. Futbollistët duhet të lajmërohen 72 orë para grumbullimit për të bërë tamponin e koronavirusit. Tebas ka pohuar se përgatitjet do të zgjatin dy javë.

Gjermania mund të jetë kampionati i parë ndër 5 më të fortët në Europë që mund të rinisë. Data 9 maj është më e mundshme, edhe pse “DFB” nuk ka përjashtuar as datën 2 majin. Skuadrat e Bundesligës ndërkohë i janë kthyer fushës së stërvitjes.

Në Francë mbizotëron kaosi dhe vështirë të parashikohet një datë për rifillimin e kampionatit. Shumica e klubeve i qëndrojnë linjës se duhet siguri para se të fillojnë ndeshjet. Në Francë ka filluar edhe një luftë sa i takon të drejtave televizive, pasi “Canal Plus” ka pezulluar pagesën ndaj Ligës në kohën e ndërprerjes së kampionatit.

UEFA dhe ECA i kanë paralajmëruar federatat, ligat dhe klubet se Championsi dhe Europa League mund të luhen në korrik dhe në gusht, pasi të përfundojnë kampionatet kombëtare. Natyrisht, duhen fiksuar mirë më parë datat e kalendarit të të gjitha ndeshjeve.