Sport E konfirmon edhe inteligjenca artificiale: Dibala është kthyer superstar

E konfirmon edhe inteligjenca artificiale: Dibala është kthyer superstar

Paulo Dibala ka dëshirë ta rinisë aty ku e la, tek ai gol ndaj Interit (gjenial sipas Del Pieros) që dukej se vlente një copë titulli, para se pandemia e koronavirusit të pezullonte gjithçka dhe të vërë në dyshim edhe rifillimin e kampionatit. Teksa po lufton simptomat e fundit të virusit që e goditi bashkë me të fejuarën Oriana, numri 10 i Juventusit mund të karikohet duke parë ecurinë e tij në sezonin 2019-20, një ecuri e çmendur para ndalesës së detyruar.

Dibala verën e kaluar dukej një nga lojtarët e “skarcuar” nga Juventusi dhe “Fair play” financiar e shtynte atëherë drejt PSG-së ose Mançester Junajtid, në këmbim të Lukakut, por në fund nuk u nis për askund. Paulo kërkoi me ngulm të qëndronte në Torino, populli bardhezi e donte me zemër dhe që aty nisi përmbysja e madhe. Një shpërthim i certifikuar edhe nga numrat. Statistikat, sipas “Wallabies”, e rendisin në vend të 14-të për rendimentin në klasifikimin botëror të sulmuesve.

Për çfarë bëhet fjalë konkretisht? Çështje statistikash, është një algoritëm që llogarit disa zëra numerikë të lojtarëve, ato më objektivet në bazë të analizës së paraqitjes së tyre. Sigurisht, statistikat nuk janë thelbësore në futboll, por janë një instrument interesant për të nxjerrë gjykime subjektive. Klasifikimi i sulmuesve për vitin aktual kryesohet nga Kilian Mbape, kampion bote. Pas tij është i zakonshmi Robert Levandovski dhe pas polakut vjen Kristiano Ronaldo. Imobile mban vendin e 5-të, pasi para tij është gjermani Verner, i cili ka shkëlqyer më shumë në Europë.

Më pas vijnë me radhë Suarez i Barcelonës dhe dy lojtarët e Atalantës, Iliçiç dhe Zapata. Kompletojnë 10-shen më të mirë Benzema dhe Aguero, i cili ndiqet nga shoku i skuadrës, Gabriel Jesus. Për të arritur te Dibala mungojnë dy shkallë që mbahen nga Depai dhe Korrea. Pas “Joya”-s është Shik, i rilindur në Gjermani, në krahasim me kohën kur luante te Roma. Rikthimi i Dibalës është i fuqishëm, nëse kemi parasysh se sezonin e kaluar mbante vendin e 43-të në këtë klasifikim.