Instituti i Shëndetit Publik në Gjermani, “Robert Koch Institute” (RKI) e ka listuar Shqipërinë në vendet të cilat nuk përbëjnë më rrezik për COVID-19.
Në informacionin e bazuar tek analiza e ministrive përgjegjëse gjermane, RKI bën me dije se Shqipëria ishte në listën e vendeve që kanë paraqitur rrezik të paktën në 10 ditët e fundit por tanimë, rreziku nga pandemia COVID është më i ulët dhe situata nuk është problematike.
Në fjalën e saj në kuvendin e Shqipërisë sot, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu konfirmoi se vendi kishte dalë nga “zona e kuqe” e rrezikut të koronavirusit.
Listës së Gjermanisë i shtohen si zona të rrezikut të lartë Kosta Rika, Gjeorgjia, Maldivet dhe Nepali.
Ndërkaq, komisioneri Evropian për Fqinjësinë e Mirë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi gjatë vizitës në Shqipëri ka deklaruar se KE u ka propozuar vendeve anëtare të BE që të rihapin sërish kufijtë e mbyllur për shkak të pandemisë, sidomos për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ne i kemi bërë një propozim shteteve anëtare, janë ato që do të vendosin. Në rekomandimet tona, ne kemi sugjeruar që shtetet anëtare të hapin sërish kufijtë dhe të lejojnë edhe qytetarët e shtete e tjera të hyjnë në BE, në veçanti nga Ballkani Perëndimor, edhe pa pasur arsye thelbësore. Pra që të rifillojë udhëtimi i tyre”, tha Varhelyi.