Sport Gjermania sulmon UEFA-n për “Wembley”-n: Sjellje e papërgjegjshme

Gjermania sulmon UEFA-n për “Wembley”-n: Sjellje e papërgjegjshme

“Të gjitha ndeshjet e mbetura të Euro 2020 do të zhvillohen sipas programit. Masat e marra në çdo vend pritës të Euro 2020 janë në linjë me normativat e vendosura nga autoritetet kompetente shëndetësore”, – shkruan UEFA në një komunikatë zyrtare, duke këmbëngulur për zhvillimin e tri ndeshjeve të fundit të Europianit në “Wembley”, pavarësisht dyshimeve që kanë lindur nga shtimi i të infektuarve me Covid, me variantin Delta.

“Vendimet finale për numrin e spektatorëve që do të ndjekin ndeshjet dhe rregullat e hyrjes në vendet pritëse dhe stadium u takojnë autoriteteve lokale kompetente, UEFA ndjek me përpikëri këto masa”, – vazhdon komunikata.

Për këtë qëndrim të UEFA-s ka pasur shumë kritika, sidomos nga Gjermania. “Absolutisht e papërgjegjshme UEFA, që lejon më shumë se 40 mijë tifozë të hyjnë në “Wembley” për të parë ndeshjen e Anglisë ndaj Gjermanisë, – tha ministri i brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer. – Mendoj se ky qëndrim që po mban UEFA është pa logjikë”. Sipas tij, janë paratë ato që diktojnë këto vendime. “Tregtia nuk duhet të jetë para mbrojtjes së popullsisë nga infektimi”, – ka shtuar Seehofer.

Një reagim ka pasur edhe nga Bashkimi Europian. Presidenti i komisionit të ambientit në parlamentin europian, Pascal Canfin, i ka shkruar një letër presidentit të parlamentit David Sassoli, për t’i përcjellë shqetësimin e kësaj situate UEFA-s dhe autoriteteve britanike. Sipas BE-së, pjesëmarrja e tifozëve në stadium në masën 75% të kapacitetit, është një rrezik serioz për shëndetin për shkak të variantit Delta të Covid-it.