Gjermania është vlerësuar si vendi lider global për të tretin vit radhazi, sipas një sondazhi ku janë pyetur qytetarë nga mbi 100 shtete.
Përqindja e të anketuarve në favor të Gjermanisë në 135 shtete ishte 44 për qind në 2019, krahasuar me 40 për qind nga një vit më parë, raporton EuroNews.
SHBA u rendit në vend të dytë me 33 për qind, Kina në vend të tretë me 32 për qind dhe Rusia në vend të katërt me 30 për qind.
Sondazhi u bazua tek intervistat me 1 mijë qytetarë në 136 shtete, të ndërmarrë nga kompania analitike e mirënjohur amerikane Gallup nga marsi 2019 deri në shkurt 2020.
Qytetarët janë pyetur nëse e pranojnë lidershipin e SHBA, Gjermanisë, Rusisë dhe Kinës.
Kryeredaktori i kompanisë Gallup Mohamed Younis u shpreh se rezultati nuk ishte aspak befasues.
“Kancelarja gjermane, e dashur apo e urryer, ka qenë ndër liderët më të parashikueshëm në kohë të pasigurta si në rendin europian por edhe në atë botëror të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore”, shkruan Younis në hyrje të sondazhit.
“Nga ana tjetër, figura e lidershipit amerikan mbetet relativisht e dobët”, shtoi ai.
Çfarë mendojnë europianët?
Vlerësimi i SHBA ka rënë ndjeshëm pasi Donald Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë.
Vlerësimi i lidershipit të SHBA në Europë ishte 24 për qind, me një rezultat të përafërt me Kinën me 23 për qind e më pas Rusinë me 19 për qind, sipas sondazhit të Gallup.
Vlerësimi i europianëve për SHBA ka rënë nga 44 për qind në 2016 në 25 për qind në 2017.
Tek italianët, vlerësimi i lidershipit amerikan ka rënë nga 59 për qind në 2016, në 22 për qind për 2019.
Ndërsa hungarezët, polakët, kosovarët, shqiptarët dhe ukrainasit kishin një përqindje më të lartë të vlerësimit të SHBA për 2019.
Sondazhi është kryer përpara krizës së koronavirusit, i cili ka ndikuar edhe më shumë mbi perceptimin për SHBA – aktualisht vendi më i prekur nga pandemia me mbi 4.3 milionë raste dhe mbi 149 mijë viktima.