Të premten, Presidenti Meta, refuzoi emërimin e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave, i zgjedhur në datë 24 maj të këtij viti.
Në një intervistë për Top Channel, Skënder Gjinushi, e quajti dekretin e presidentit të pavlefshëm dhe se zgjedhjet janë legjitime.
“Rezultati i zgjedhjeve është bërë publikisht i njohur dhe zyrtarisht dhe ligjërisht. Dhe është një rezultat i pa cënuar dhe i paprekur nga askush. Presidenti i Republikës nuk mund ta zhbëjë procesin zgjedhor të zhvilluar pranë këtyre institucioneve autonome. Kështu që dekreti është haptas nul, haptas një vendim absolutisht i pavlefshëm, sepse nuk ka asnjë referencë në ligjin e Akademisë së Shkencave, ku thuhet se mund të refuzohet emërimi”, u shpreh Gjinushi.
Por a do të vazhdojë ai të qëndrojë në krye të Akademisë së Shkencave pas refuzimit të Metës?
“Këtu nuk ka rëndësi a ia bëri mirë Meta, Gjinushit, apo Gjinushi s’iu bind Metës, e kështu me radhë. Duhen kuptuar kush janë pasojat juridike, kush janë pasojat në cenimin e Shtetit të së Drejtës. Duhen kuptuar kush janë pasojat që vijnë nga një precedent i tillë”, thotë ai.
Gjinushi i bindur për rezultatin e zgjedhjeve dhe se nuk ka shkelje në emërimin e tij, i bëri edhe një sfidë Presidentit Meta.
“Vetë Presidenti ka kandiduar duke qenë kryetar partie. Le të japë shembullin, pra të jap dorëheqjen për këtë shkak. Unë nuk do e jap dorëheqjen për këtë shkak”, shprehet Skënder Gjinushi.
Por si do të zgjidhet ky ngërç? Në një bisedë telefonike për Top Channel, akademiku Beqir Meta, u shpreh se pas dekretit refuzues të Metës, mund të shihet mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Ai gjithashtu shtoi se mund të ketë edhe ndryshime në statutin e Akademisë së Shkencave, që në çdo palë zgjedhje për këtë institucion, të ketë gjithnjë kandidatë alternativës./TCH