Aktualitet Gjobitet me 2000 lekë polici që parkoi tek vijat e bardha

Gjobitet me 2000 lekë polici që parkoi tek vijat e bardha

Një efektiv i policisë së Lezhës është gjobitur me 2 mijë lekë, për shkelje të kodit rrugor pasi ka parkuar mjetin e policisë tek vijat e bardha.

Reagimi i policisë erdhi pas një fotoje të postuar në rrjetet sociale, e cila bën fjalë për një rast denoncimi të një qytetari, për parkimin e gabuar të automjetit të policisë.

“Shërbimet e Policisë Rrugore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë kanë kryer menjëherë verifikimet dhe kanë ndëshkuar me masë administrative (gjobë), me vlerë 2000 lekë, për shkeljen rrugore “Ndalimi i qëndrimit dhe pushimit të mjeteve”, punonjësin e Policisë që ka pushuar mjetin, në vendin që tregohet në foto”, sqaron policia përmes një njoftimi.

Gjithashtu bëhet me dije se ndaj punonjësit të policisë, inspektor A. D. ka filluar ecuria disiplinore, për shkelje dhe cenim të imazhit të Policisë së Shtetit, bazuar në Rregulloren e Policisë së Shtetit.