Gjunjëzimi që Edi Rama i bëri Ilir Metës dy ditë më parë me shkarkimin e Ylli Manjanit ka tërhequr vëmendjen politike të shumë faktorëve.
Kryeministri me veto i vendosi kusht Metës jo vetëm heqjen e ministrit të LSI, por nëse nuk do të realizohej edhe me prishje të koalicionit.
Në LSI nisi turfullima dhe inati ndaj kryeministrit dhe pritej që Meta të reagonte ashpër, por ndodhi e kundërta.
Jo vetëm që ai pranoi shkarkimin, por u zbyth dhe nga akuzat e Manjanit duke thënë se “çdo shqetësim duhet të adresohet në institucionet përgjegjëse”.
Ishte kjo një marrëveshje me Ramën për presidentin, apo Ilir Meta ka disa siklete të tjera?
Të gjithë pyesin pse po rri kaq urtë kreu i LSI?
Në fakt janë bërë muaj që Ilir Meta nuk bën kundërshtime ndaj Ramës, jo se është i bindur, por punët e tij nuk shkojnë aspak mirë.
Prej skandalit të vitit 2011, ai është izoluar ndërkombëtarisht, duke mos zhvilluar asnjë takim me krerë të shteteve të tjera.
Meta, është personi që ka kundërshtuar më fortë Reformën në Drejtësi dhe pse publikisht është shfaqur sikur e ka dashur.
Meta shihet nga amerikanët si njeriu që po punon më fort kundër reformës në drejtësi.
Ky shqetësim i është shprehur nga amerikanët edhe Ramës, duke iu kërkuar më shumë se një herë që të qartësojë pozicionin e aleatit të tij në qeveri, nëse e mbështet apo jo reformën.
Në një bisedë mes tyre, Rama i ka kërkuar Metës që të lërë lojërat dhe të miratojë reformën në drejtësi.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme ka pasur dy deklarata të forta si nga Ilir Meta ashtu edhe nga Edi Rama.
Kreu i Kuvendit ishte i pari që deklaroi në një konferencë me gazetarët se nëse PS i ka 71 vota në Kuvend, ai është i gatshëm që ta nxjerrë LSI-në në opozitë.
Nga ana tjetër përgjigjja e Ramës ishte e menjëhershme.
Në mbledhjen e kryesisë në mbrëmje Rama tha se me FRD-në dhe PDIU-në mund ti marrin 71 mandate në zgjedhjet e 18 qershorit, duke iu referuar rezultatit të katër viteve më parë.
Pas kësaj deklarate të Ramës, Meta u tërhoq sërish, duke deklaruar sot se Shqipëria ka nevojë për një forcë politike që i zgjidh problemet dhe jo ti shtojë ato.