Aktualitet Gjykata e Posaçme lë në burg Safet Gjici. Arrest shtëpie për Alma...

Gjykata e Posaçme lë në burg Safet Gjici. Arrest shtëpie për Alma Kaçin. Sa vite burg rrezikojnë

Gjykata e Posaçme ka lënë në burg ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici. Për 40-vjeçaren Alma Kaçi gjykata la në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

51-vjeçari Safet Gjici akuzohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” neni 260 i Kodit Penal ku nëse do provohet akuza ai mund të dënohet  me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.

40-vjeçarja Alma Kaçi akuzohet  për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë“ neni 245 i Kodit Penal ku nëse do provohet akuza ajo mund të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Kur 40-vjeçarja Kaçi mbërriti në gjykatë zgjodhi që të mbulojë fytyrën e saj.

Hetimet për Gjicin nisën disa ditë më parë, pas publikimit në rrjetet sociale të një video me përmbajtje erotike, ku ish-kryebashkiaku kryente marrëdhënie intime me shtetasen Alma Kaçi.

Pas aktit seksual, ata diskutojnë në zyrë për një projekt që do të financohej nga bashkia për izolimin e qenve endacakë në Kukës. Menjëherë më pas, Gjici thërret në zyrë një vartësin e tij që të merret me dokumentacionin që do dorëzojë shtetasja Alma Kaçi.

Prokuroria kreu një sërë verifikimesh për rastin, duke ngritur në përfundim akuzat e korrupsionit për të dy të hetuarit.