Me një vendim të papritur, ndryshe nga Gjykatat e rretheve të tjera që i kanë vërtetuar mandatet e kryebashkiakëve të tjetër të Partisë Socialiste në disa bashki, Gjykata e Durrësit nuk i ka dhënë vërtetimin e mandatit kryebashkiakes të zgjedhur më 30 qershor për bashkinë e qytetit bregdetar, Valbona Sakos.
Gjykata argumenton se kandidatja e Bindjes Demokratike, në garë përballë Sakos, Valbona Sakollari, është regjistruar përtej afateve ligjore në garën për zgjedhjet vendore.
Me këtë vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë, do të pritet edhe vendimi i Gjykatës së Apelit, i cili është i formës së prerë.
Edhe Gjykata e Tiranës nuk ka konfirmuar mandatin e Agim Kajmakut për të marrë postin e kryetarit të Bashkisë së Vorës, pasi ka shpallur moskompetencën për të dhënë një vendim të tillë.
Në vendimin e dhënë nga Gjykata që në datën 15 korrik, thuhet se kjo kompetencë i kalohet Gjykatës Administrative. Vendimi, sipas saj, mund të apelohet në Gjykatën e Lartë.
Pak ditë më parë, Partia Demokratike i bëri thirrje gjyqtarëve, që të mos certifikojnë kryebashkiakët e Partisë Socialiste, pasi sipas tyre zgjedhjet e 30 qershorin ishin farsë, dhe se gara e vërtetë elektorale sipas opozitës, do të bëhet më 13 tetor, datë e dekretuar nga Presidenti Ilir Meta.