Politika Refuzimi i mandatit për Valbona Sakon, reagon Basha

Refuzimi i mandatit për Valbona Sakon, reagon Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi pas vendimit të Gjykatës së Durrësit për mosdhënien e mandatit të kryetares së Bashkisë së qytetit kandidates socialiste Valbona Sako.

“Të gjithë ata që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin me 30 qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale”, shkruan Basha në Facebook.

“Farsa e 30 qershorit ishte masakër e Kushtetutës, e ligjit dhe e standardeve. Dua të përshëndes vendimin e Gjykatës së Durrësit, i cili sjell shpresë se në këtë vend ka gjyqtarë e gjyqtare që e kanë të shenjtë Kushtetutën dhe ligjin, se ka shërbyes civilë me kurajo dhe ndërgjegje që i shërbejnë shtetit të së drejtës dhe jo shtetit partiak.

Farsa e 30 qershorit është një grusht kriminal institucional i Edi Ramës, përmes të cilit ai uzurpoi pushtetin vendor, por edhe KQZ-në dhe gjithë sistemin e administrimit të zgjedhjeve përfshi kolegjin zgjedhor. Të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij grushti kriminal institucional, të gjithë ata që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin me 30 qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale”, tha Basha.