Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pretendimet e Fredi Belerit për të shfuqizuar masat “arrest me burg” të dhëna ndaj tij në Gjykatën e Posaçme, në shkallën e parë dhe në apel.
Sipas Kushtetueses, masa “arrest në burg” për Belerin nuk është joproporcionale, nuk i është cenuar e drejta për t’i zgjedhur dhe nuk i është cenuar prezumimi i pafajësisë.
E mbledhur këtë të enjte, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën për këto arsye:
-Në lidhje me pretendimin për cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, Gjykata vlerësoi se kërkuesi nuk legjitimohet.
– Në lidhje me pretendimin për kufizimin e lirisë personale në cenim të parimit të proporcionalitetit, Gjykata vlerësoi, me shumicë votash, se kufizimi i lirisë personale është vendosur nga gjykatat e zakonshme për një qëllim të ligjshëm që është garantimi i mbarëvajtjes dhe integritetit të procesit penal në ngarkim të zotit Beleri. Gjykata vlerësoi, gjithashtu, se masa e sigurimit personal “Arresti në burg”, e vendosur nga gjykatat e zakonshme, nuk duket joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes.
– Në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës për t’u zgjedhur, Gjykata konstatoi se kjo e drejtë shtrihet jo vetëm mbi të drejtën për të kandiduar por edhe mbi të drejtën për të ushtruar funksionin publik të besuar nga zgjedhësit. Në këtë kontekst, Gjykata vlerësoi se vendosja e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” në ngarkim të zotit Beleri pamundëson kryerjen e procedurës së betimit nga ana e tij si kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës dhe, për pasojë, ajo (masa e arrestit) përbën një kufizim të së drejtës së tij për t’u zgjedhur. Sidoqoftë, duke qënë se Gjykata arriti në përfundimin se kufizimi i lirisë personale të zotit Beleri është bërë për një qëllim të ligjshëm dhe se kufizimi është proporcional në raport me këtë qëllim, ajo (Gjykata), me shumicë votash, nuk gjeti cenim të së drejtës së kërkuesit për t’u zgjedhur.
– Në lidhje me pretendimin për cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë për shkak të rëndimit të pozitës së zotit Beleri si i pandehur si rezultat i shtimit të argumenteve për justifikimin e masës së sigurimit “Arresti në burg” nga GJKKO-ja e Apelit, Gjykata vlerësoi se përforcimi i arsyetimit nga gjykata më e lartë, përsa kohë ajo (gjykata më e lartë) nuk rëndon masën e sigurimit në ngarkim të të pandehurit, nuk përbën rëndim të pozitës së tij. Prandaj Gjykata, njëzëri, nuk gjeti cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë në rastin e zotit Beleri.
Më 5 mars, Beleri u dënua me 2 vite burg për veprën penale “korrupsion zgjedhor”. Çështja e tij është ndjekur edhe nga përfaqësues të shtetit grek të cilët në disa deklarata kanë lënë të kuptohet se ajo do të ndikojë në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.