Bota Macron, ‘Rocky Balboa’ i ardhshëm që do përballet me Putin? Polemika në...

Macron, ‘Rocky Balboa’ i ardhshëm që do përballet me Putin? Polemika në Francë

Franca po çmendet nga fotografitë e presidentit Emmanuel Macron, me doreza boksi, teksa stërvitet në palestër, me shikimin e fiksuar te thesi dhe me fytyrë dhe muskuj të shtrënguar nga sforcimi.

Pamjet bardhë e zi të publikuara në profilin e Instagramit të Soazig de la Moissonnière, fotografes zyrtare të presidentit, vazhdojnë të ngjallin reagime në të gjithë vendin, duke përfshirë komente pozitive, hutimi dhe ngacmimi.

Përdoruesit e mediave sociale shpejt filluan ta krahasojnë atë me Rocky Balboa. Disa të tjerë thonë se shefi i Elizesë po përgatitet për t’u përballur me presidentin Vladimir Putin, i cili nuk është i panjohur për setet e tij fotografike në të cilat shpesh ka treguar aftësitë e tij sportive. Putin më parë është fotografuar duke peshkuar dhe duke mposhtur kundërshtarët e tij në xhudo.

Sipas bashkëshortes, Brigitte, presidenti francez është një vizitor i rregullt i klubit të boksit.

”Ai shkon atje dy herë në javë”, deklaroi ajo, në një intervistë të publikuar në ”Paris Match” më 16 nëntor 2023.

Macron ishte shfaqur tashmë me veshje boksi, më 8 janarin e kaluar, në një video të shkurtër të publikuar në profilin e tij, 200 ditë përpara fillimit të Lojërave Olimpike Paris 2024.

Për historianin Eric Anceau, profesor i historisë bashkëkohore në Université de Lorraine, ato foto janë një tregues i “maçizmit neo-populist të inskenuar sot nga disa liderë duke filluar nga një mjeshtër i zhanrit, Vladimir Putin”.

Në Francë, fotot e Macron me doreza ndjekin ato të ish-ministrit të Shëndetësisë dhe ish-zëdhënësit të qeverisë, Olivier Véran, i cili foli për jetën e tij të re si deputet dhe mjek për gazetën ”Le Figaro”.

Edhe ish-kryeministri Edouard Philippe është një tifoz i madh i ringut.

”Boksi është mjaft i pajtueshëm me ushtrimin e forcës së shtetit”, analizon eksperti i komunikimit politik, Philippe Moreau-Chevrolet, cituar nga ”France Presse”.

”Është një sport i dhunshëm, por me rregulla, siç është politika. Gjithashtu imazhi shumë i teatralizuar, siç ndodh shpesh me Macron, i heroit që kapërcen vuajtjet”, shton ai.

Për Moreau-Chevrolet, Macron është “një teknokrat që provon stilin populist, duke u përpjekur t’i përgjigjet Putinit në tokën e tij”.

Në këtë linjë është edhe gazeta britanike Daily Mail, e cila shkruan se Macron po shfaqet gjithnjë e më shumë si njeriu i fortë i Europës që i kundërvihet Putinit.

Fotot vijnë pas paralajmërimeve të përsëritura nga Macron, i cili është shprehur se dërgimi i trupave ushtarake në Ukrainë nuk duhet të “përjashtohet” dhe u kërkoi udhëheqësve evropianë të mos jenë “frikacakë” kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Ukrainës.