Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi ligji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.
Gjykata Kushtetuese thotë se pas shqyrtimit të kërkesës nga ana e Komunitetit Mysliman Shqiptar për shfuqizimin e disa neneve, u vendos me shumicë votash rrëzimi i saj.
“Gjykata Kushtetuese, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesi, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara, Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronës, në përfundim të shqyrtimit të çështjes sot, më 13.02.2024, me shumicë votash dhe njëzëri për një pretendim, vendosi rrëzimin e kërkesës. Për sa i përket kërkimit në lidhje me shfuqizimin e pikës 2 të VKM-së nr. 313/2023, në pjesën që ka shtuar pikat 3/1, 3/2, shkronja “c”, kërkuesi ka pretenduar cenimin e parimit të sigurisë juridike, së drejtës për pronën private, së drejtës për shpërblim të drejtë, parimit të proporcionalitetit dhe parimit të barazisë përpara ligjit e mosdiskriminimit. Gjykata konstatoi se pika 2 e VKM-së nr. 313/2023 ka pasqyruar me të njëjtën përmbajtje ndryshimet në formulën e përllogaritjes së kompensimit të parashikuar në ligj. Për sa kohë, kjo e fundit nuk u gjet në papajtueshmëri me Kushtetutën, Gjykata vlerësoi se edhe kjo dispozitë e VKM-së nuk bie ndesh me Kushtetutën”, thekson GJK.
Komuniteti Mysliman Shqiptar bëri padi për shfuqizimin e disa neneve të këtij ligji i cili ishte ndryshuar në tetor të 2023-it.
Ky komunitet ishte kundër metodës së përllogaritjes së kompensimit financiar për pronat.